English

Kosova: Demokracia e rrethuar

Paragjykimet dhe shpifjet e një Raporti të trilluar

Nga Prof. Dr. Agim Zogaj

Derisa, Republika e Kosovës, shtet demokratik dhe i pavarur po hap shtigje të reja në ndërtimin e shtetit ligjor, funksional, ndërkohë, propaganda serbe, nuk zgjedh mjete për t’i penguar, dëmtuar proceset e shtet ndërtimit të fqinjit të saj, Kosovës. Në frymën e kundërshtimeve, jo vetëm të njohjes së pavarësisë së Kosovës, jo vetëm të njohjes së integritetit dhe sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës, shteti fqinj, Serbia, nuk zgjedh mjete që të ndërhyjë në punët dhe në zhvillimet e brendshme të vendit tonë. Serbia, me veprime institucionale, krejt në mënyrë të hapur dhe e pa penguar nga askush po e përdor komunitetin pakicë serb, veçmas ata në pjesën veriore të Mitrovicës që të pengojë ecjen përpara të shtetit të Kosovës. Por, Serbia, në bashkëpunim e edhe me miq e aleat të saj historik, po ashtu nuk pushon të përdor, propagandën si mjet të fushatës manipuluese, luftës politike për qëllime të saja hegjemoniste ndaj Kosovës. Propaganda politike, e sajuar dhe e lëshuar në veprim , gjithnjë sipas traditës serbe, pra, kundër kombit shqiptar dhe jo vetëm kundër shtetit, udhëheqjes tonë dhe ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është e njohur dhe historikisht e ditur. Sa për ta ilustruar traditën serbe dhe afinitetin e qeverive serbe për të sajuar propagandë antishqiptare, po citojmë ideologun e nacionalizmit modern serb, akademikun Dobrica Qosiq i cili shkruan :” Rrena është formë e patriotizmit tonë dhe dëshmim i inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë në mënyrë kreative , me imagjinatë dhe me invencion”.

Në këtë referencë të akademikut serb duhet kërkuar rrënjët e qëllimeve propaganduese dhe thellësisht antishqiptare të Raportit të hartuar nga parlamentari zvicerran i Asamblesë së Këshillit të Evropës, z. Dick Marty. Raporti i parlamentarit Marty, i cili akuzon udhëheqës të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për pjesëmarrje në gjoja, trafikim të organeve njerëzore gjatë periudhës së luftës së Kosovës ( 1998 – 1999 ) në thelb është i ideuar, i sajuar mbi formulat e propagandës serbe/sllave. Raporti, siç del edhe nga shumë reagime jo vetëm të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të Shqipërisë në tërësi është i pa bazuar në fakte, në prova apo në realitet. Raporti si i tillë, që për objektiv e ka përllosjen dhe deskriditimin moral të luftës çlirimtare, anti koloniale të popullit të Kosovës është i motivuar politikisht, ndaj qartësisht ia mban anën Serbisë dhe aleatëve të saj që ishin dhe vazhdojnë të jenë kundër pavarësisë së Kosovës. Madje, do të thoshim se përmbajtja aq denigruese e Raportit të parlamentarit Marty përbën abuzim të thellë të drejtpërdrejt me autoritetin e Këshillit të Evropës dhe, si i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe të maturisë që e përçon, e përcjellë Këshilli i Evropës.

Lexuesit evropian t’ia rikujtojmë faktin se, që në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish- Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në hapësirat e ish- Jugosllavisë , i kishte hedhur poshtë pohimet e Dick Marty se në Shqipëri dhe në Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato pretendime si të pa bazuara në prova, dëshmi dhe fakte. Raporti i z. Marty thekson ndërsa se, gjoja, shteti shqiptar, Republika e Shqipërisë nuk ka bashkëpunuar. Por, e vërtetat është se, siç u deklarua edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë, pretendimet e tilla”...janë krejtësisht të pa vërteta, spekulative dhe shpifëse. Institucionet e Republikës së Shqipërisë kanë bashkëpunuar ngushtë me grupin hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish Jugosllavi në vitin 2004 dhe i kanë ofruar bashkëpunim të plotë edhe vetë z. Marty gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2009”. Pra, z. Marty, për të cilin deputeti i Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Bernd Posselt, ( në intervistë dhënë radios “ Deutsche Welle) thotë se është “ një demagog” thjesht dhe për qëllime propagandistike , të sojit të makinerisë propaganduese serbe, vazhdon të sajojë, të përpilojë raporte mashtruese të mbështetura nga shërbime të caktuara, madje, të formuluara, pse jo, edhe për qëllime gjeo-politike. Z. Marty dhe bashkë mendimtarët e tij, sikur kanë harruar se, është e lehtë të ngresh gjykime, akuza pas opinioneve, pas direktivave të qendrave të caktuara politike, ndërkohë që, kur opinionet janë ideuar, ngritur mbi opinione atëherë e vërteta nuk mund të vërtetohet. Metodologjia prej hetuesi ka si parim prova dhe dokumente të dorës së parë, faktike, dhe jo opinione që dalin nga bota e spekulimeve dhe e propagandës politike. Ndaj, publiku shqiptar po të mos e njihte, z. Marti edhe më herët, si një kundërshtar i rreptë dhe i hapur i pavarësisë së Kosovës, do të mund të habitej se si është e mundur që një deputet i Këshillit të Evropës të del një shpifës i rëndomtë, i cili i inskenon ngjarjet sipas porosisë. Dhe, pjesë e skenarit të porosit bërësve të hartimit të këtij Raporti shpifës është edhe përllogaritja e saktë politike që ai të rikthehet si çështje politike e Këshillit të Evropës në kohë dhe në hapësirë të caktuar. Përse, fjala vjen, Raporti nuk u bë publik para mbajtjes së zgjedhjeve të lira të 12 dhjetorit 2010 në Kosovë, por tani, pikërisht kur edhe Beogradi po e pranon se, në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka pritur dhe nuk ka dashur që udhëheqës i delegacionit të Kosovës të jetë z. Hashim Thaçi, sërish i mandatuar për kryeministër të ardhshëm.

Sidoqoftë, pretendimet e falsifikuara, skandaloze të z. Marty dhe të bashkëmendimtarëve të tij, Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar do t’i rrinë si shpatë e Demokleut përderisa, në nivelet më të larta të drejtësisë, ndërkombëtare, evropiane të mos hedhen poshtë, me argumente, dëshmi dhe me prova akuzat, shpifjet, trillimet tendencioze, shumë të dëmshme të autorit të Raportit të aprovuar në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Të gjitha argumente, provat, drejtësia janë në anën e Kosovës, sepse, është Serbia ajo e cila ka zhvilluar luftë pushtuese, është Serbia ajo e cila që 100 vjet ka bërë gjenocid ndaj popullit të Kosovës, është Serbia ajo e cila ka pasur struktura kriminale shtetërore gjatë luftës së Kosovës, është Serbia ajo e cila vazhdon t’i fshehë krimet dhe kriminelët e luftës, është Serbia ajo e cila, nëpër fushat dhe malet e saja vazhdon t’i fshehë trupat e pajetë të shqiptarëve të vrarë, është Serbia ajo e cila me çdo kusht po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe ta rrënojë pavarësinë e shtetit më të ri në botë.

Populli i Kosovës ndërsa, nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvilloi luftë për çlirim nga sundimi serb, prandaj edhe u përkrah nga Aleanca Veri – Atlantike dhe mbarë bota demokratike. Në atë luftë çlirimtare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës jo vetëm që, në asnjë rast nuk bëri krime lufte, por, gjithashtu nuk e cenoi as integritetin dhe sovranitetin territorial të Serbisë, duke dëshmuar botërisht se, po zhvillonte luftë për liri dhe jo për pushtim të territoreve apo të popujve tjerë siç e kishte bërë Serbia. /Vështrim i botuar në revistën, Globalia Magazine / Keln- Deutschland /

KOMENTE