E hënë, 27 dhjetor, NOA- Qytetarët e Kosovës janë ndër njerëzit që presin mrekulli nga 2011. Hulumtimi nga Gallup International ka treguar se mbi 55 për qind e qytetarëve të Kosovës presin që viti 2011 do të jetë më i mirë se viti 2010.
Sipas rezultateve të anketës së përgjithshme, 42 për qind e qytetarëve në botë janë optimistë se viti 2011 do të jetë më i mirë se ai i vitit 2010, ndërsa 19 për qind janë pesimistë.
Kjo anketë është realizuar në 53 shtete ku jeton 76 për qind e popullsisë botërore.
Rezultatet e hulumtimit “Barometri global” të realizuar nga Gallup International, tregon se qytetarët e Kosovës janë më optimistët në rajon, ndërsa qytetarët e Serbisë janë deklaruar si më pesimistët në rajon.
Qytetarët më optimistë janë nga Suedia, Finlanda, Danimarka dhe Zvicra, ku qytetarët e këtyre vendeve theksojnë se janë më të kënaqurit në botë, nuk i mungojnë paratë dhe shpresojnë në ditë më të mira gjatë 2011.
Anketa e prezantuar thekson se më pak optimistë janë edhe qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë dhe vendet tjera evropiane.
(INA)/NOA