Shkup, 27 dhjetor, NOA - Dalja në rrugë nuk i zgjidh problemet, ndaj BDI-ja ka zgjedhur rrugën institucionale. Kështu u shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një tubim me qytetarët në Likovë.
Sipas tij, nëse BDI-ja del nga qeveria, kjo nuk do të zgjidhte çështjen e emrit me Greqinë. Zgjidhja e këtij kontesti, siç theksoi ai, nuk është larg dhe ky problem paraqet problem jo vetëm për rajonin, por edhe për gjithë komunitetin ndërkombëtar. Ahmeti edhe njëherë përmendi nevojën për angazhim më të madh nga SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja.
“Unë mendoj që të dy palët kanë hyrë në një situatë emocionale, të dy palët akoma kanë komplekse nga e kaluara, duke menduar se mund të ketë pretendime territoriale apo zgjerim kufijsh. Të nderuar, këto komplekse palët do t’i heqin, sepse ëndrra për Greqi të madhe, Maqedoni të madhe ka rënë dhe nuk ka ëndrra të tilla”, deklaroi lideri i BDI-së. Për sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, Ahmeti tha se partia e tij është përcaktuar për interesin e qytetarëve, pasi projektet madhore që do të jenë në shërbim të qytetarëve janë në përfundim e sipër.
“Po hymë në zgjedhje, këto projekte që veç janë në përfundim e sipër, këto për 6 muaj deri në 8 muaj nuk mund të fillojnë të materializohen, sepse rregullat e kërkojnë që para zgjedhjeve nuk mund të bëhen projekte të tilla, nuk mund të shpallen tenderë të karakterit ndërkombëtar”, u shpreh Ahmeti.
BDI-në, siç theksoi ai e shqetësojnë dy çështje, ajo e invalidëve të UÇK-së dhe rastet e Hagës.
NOA/INA