English

Opozita e Bashkuar, Ngjela: Vetëm forca e rrëzon këtë Qeveri të ardhur me forcë

Tiranë, 27 Dhjetor 2010 NOA Update – “Vetëm forca e rrëzon këtë Qeveri të ardhur me forcë. Sepse kjo qeveri ka manipuluar zgjedhjet”, - deklaroi sot përfaqësuesit të “Opozitës së Bashkuar” dhe njëherësh kryetarit të PLD, Spartak Ngjela në një dalje për mediat.

Sipas Ngjelës, prova e saktë e manipulimit, është mospranimi i formulës nga ky kryeministër i paligjshëm, për hapjen e materialeve zgjedhore.

“Të gjitha të tjerat janë lojë fjalësh, paranojë dhe mungesë e theksuar vullneti për t’i dhënë shqiptarëve demokraci”, - tha Ngjela.

Në daljen e tij publike ku edhe sot Ngjela nuk kurseu deklaratat revanshiste, tha se “Opozita e Bashkuar” e konsideron situatën aktuale tepër të rëndë, të rënduar nga papërgjegjshmëria e një kryeministri të paligjshëm. “Mospranimi për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore është prova e saktë e manipulimit të zgjedhjeve. Tani me anë të vërtitjeve dhe argumenteve injorante e gjithë shoqëria shqiptare, opinioni publik ndërkombëtar, kuptoi se zgjedhjet e qershorit 2009 kanë qenë të manipuluara. “Opozita e Bashkua” i bën thirrje popullit opozitar që muaji janar të kthehet i gjithi në muajin e protestave për largimin e një qeverie të paligjshme”, - tha Ngjela.

Sipas tij, situata ekonomike është e rëndë, gjendja e paligjësisë së kësaj qeverie ka krijuar pamundësi jetese në Shqipëri. Përmbytje, varfëri, papunësi të gjitha këto të konverguara në një pikë tregojnë se kemi të bëjmë me një qeveri që drejtohet me paranojë dhe jo me arsye.

“Togfjalëshi i dëgjuar rëndom para disa ditësh, prova, faktesh dhe grupfaktesh nuk është koncept juridik, është koncept psikiatrik. Ne nuk mund të pranojmë paranojën për arsye dhe sallatën e fjalëve për argument. Ajo që pranojmë ne është fakti që Shqipëria nuk ka zgjedhje të lira, që shoqëria shqiptare nuk është në demokraci”, - përfundoi Ngjela.

e.r/NOA

KOMENTE