Tiranë, 27 dhjetor, NOA-Policia e Shtetit, ka njoftuar se duke parë fluksin e madh të lëvizjeve si rrjedhojë edhe e ardhjes së emigrantëve, ka marrë masa për vënien nën kontroll të situatës.
Kjo polici duke hartuar e zbatuar plane të përbashkëta masash ndërmjet shërbimeve të Policisë Rrugore me strukturat e tjera të policisë vendore dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, premton për një situatë të qetë.
Si rezultat i këtyre masave të marra, gjatë këtij muaji është evidentuar se është reduktuar numri i aksidenteve rrugore me 19.3 % ose 28 raste më pak, është reduktuar numri i personave me pasoja fatale për jetën me 44 % ose 19 persona më pak, është reduktuar numri i personave të plagosur rëndë me 56 % ose 20 persona më pak.
Ndërkohë, Policia Rrugore u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të mos qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, të mos drejtohet mjeti nën efektin e pijeve alkoolike, të përdoret rripi i sigurimit, të mos udhëtohet në gjendje të lodhur dhe të përgjumur.
a.y/NOA