Tiranë, 27 dhjetor, NOA – Ndërkohë që fëmijët janë ata që më shumë se kushdo ndiejnë e gëzojnë atmosferën festive të fundvitit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama bashkë më të rinjtë e rrjetit të Bashkisë së Tiranës kanë vizituar fëmijët e spitalit Pediatrik të kryeqytetit duke u bërë atyre edhe dhurata për festat, si një shenjë mbështetjeje për fëmijët që luftojnë me sëmundjet në këtë pavion fëmijësh. Kreu i Bashkisë së kryeqytetit uroi edhe ekipin mjekësor që u gjendet pranë këtyre fëmijëve si dhe prindërve të tyre, mjekëve dhe infermierëve, duke i vlerësuar ata për punën heroike që bëjnë çdo ditë në kushte të vështira.
“Si çdo festë, si çdo Krishtlindje dhe dhe Vit të Ri, ne jemi përsëri këtu për t’u qenë pranë të gjithë fëmijëve që kanë nevojë më shumë se të tjerët për të pasur mënyrën se si të gëzojnë në këto kushte jashtëzakonisht të vështira, kur kanë një betejë shumë të madhe për të bërë dhe që e bëjnë falë mbështetjes së një ekipi mjekesh e mjekësh, infermieresh dhe falë dashurisë së madhe të prindërve e të afërmve, por që gjithsesi e bëjnë edhe më mirë, falë edhe dashurisë e solidaritetit që marrin nga jashtë, nga jashtë dyerve të spitalit, sepse për këtë arsye ne jemi këtu, për t’ua dëshmuar këtë dashuri dhe solidaritet, duke uruar Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, duke uruar që të fitojnë në këtë betejë të madhe e cila është një betejë e vështirë, por jo e pamundur dhe që fitohet pikërisht falë dashurisë, falë mbështetjes, solidaritetit, falë sakrificave të të gjithë atyre që u janë pranë këtyre fëmijëve”, tha kryebashkiaku Rama.
Ai theksoi se vetëm përmes punës së palodhur të mund të shpëtohen siç shpëtohen jetët e njerëzve.
E në këtë kontekst Rama uroi që sa më shpejt i gjithë sistemi shëndetësor të përmirësohet, me qëllim që ai t’u vijë sa më pranë njerëzve.
Nuk munguan as dhuratat për fëmijët, duke u krijuar atyre mundësinë të shijojnë edhe pse në kushte të vështira shëndetësore, atmosferën e gëzuar që përcjellin festat.
Ndërkohë, të rinjtë e Rrjetit Rinor, përmes animacioneve të ndryshme u gjendën pranë vogëlushëve, duke sjellë atyre atmosferën e gëzuar të festave të fundvitit.
mit/NOA