English

Stuhia e borës pengon udhëtimet në SHBA

SHBA, 27 dhjetor, NOA - Një stuhi e madhe bore që po u afrohet brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar anulimin e fluturimeve dhe ka bllokuar udhëtarët nëpër aeroporte. Shërbimi Kombëtar i Motit ka bërë paralajmërime për rajonin nga Meini në Nju Xhërsi, ku parashikohet të bjerë deri 50 centimetra dëborë në disa zona.

Dëbora dhe erërat e forta po godasin brigjet verilindore të Shteteve të Bashkuara nga Filadelfia në Boston, duke detyruar shoqëritë ajrore të anulojnë fluturimet dhe bllokuar një numër të madh udhëtarësh.

Në aeroportin Ronald Regan në Uashington, shumica e fluturimeve u anuluan dhe udhëtarët po përpiqeshin të riplanifikonin udhëtimet. Rik Rasëll po përpiqej të largohej nga Uashingtoni dje, por nuk ishte në gjendje të përcaktonte se kur dhe nëse do të gjente ndonjë fluturim për t’u larguar nga qyteti.

“Kam mbetur i zhgënjyer që tani ndodhem në aeroport dhe fluturimi im për në Detroit është anuluar. Do të përpiqem të gjej një linjë tjetër. Duket se shoqëria Delta do të ketë avion për atje. Shpresoj të nisem me këtë linjë... Ndoshta”.

Linjat ajrore dhe transportet të tjera janë të ngarkuara këtë javë, pasi miliona amerikanë vizitojnë miqtë dhe familjet me rastin e festave të fundvitit. Fluturimet në rajonin lindor të SHBA-ve që është edhe më i populluari, shpesh janë vonuar edhe pa patur stuhi bore.

Në Nju Jork, në tri aeroportet kryesore u anuluan dje më shumë se 1400 fluturime para se të afrohej stuhia. Transporti ajror nuk ishte problemi i vetëm. Udhëtimi me makinë nëpër autostrada ishte gjithashtu i vështirë. Shërbimi hekurudhor Amtrak mes Nju Jorkut dhe Majemit anuloi udhëtimet mbrëmë dhe anulime në transportin hekurudhore pati edhe në shtetin e Virxhinias.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, u bëri thirrje qytetarëve të mos dilnin jashtë dhe të shtynin planet e udhëtimeve po të ishte e mundur. Paralajmërimi për stuhi bore në qytetin e Nju Jorkut do të jetë në fuqi deri nesër vonë.

“Meteorologët e Shërbimit Kombëtar të Motit po na thonë se mund të kemi deri në 40 centimetra dëborë dhe erëra me shpejtësi deri në 90 kilometra në orë. Është vështirë të qëndrosh jashtë në kushte të tilla atmosferike dhe veçanërisht kur rrugët janë me akull. Pra është e rrezikshme të dalësh jashtë”.

Më shumë se 2400 punonjës të shërbimit komunal po punojnë me turne 12 orëshe për të pastruar rrugët e Nju Jorkut. Shërbimi Kombëtar i Motit thotë se stuhia filloi me rënin e presionit atmosferik në brigjet e Karolinës së Veriut, duke u shndërruar në një stuhi të fortë.

Kryeqyteti i Karolinës së Veriut, Kolumbia, pati borën e parë të madhe që kur filloi mbajtja e të dhënave të motit në vitin 1887

NOA

KOMENTE