Turpi i dhunimeve të votës adresën e vetme e ka te kastat politike, ku përgjegjësia kryesore megjithatë i takon partisë më të madhe dhe liderëve të saj, në krye me Hashim Thaçin
Nga Shkëlzen Maliqi
Dy javë pas zgjedhjeve disponimi i përgjithshëm është ai i humbjes. Të gjithë janë humbës, askush fitues. Madje edhe Hashim Thaçi, i cili po vazhdon me festimin e “fitores së madhe” personale dhe të PDK-së, gjithnjë e më shumë po e thellon hendekun mes një triumfalizmi të pavend dhe pa shije, dhe të realitetit të zymtë.
12 dhjetori sigurisht se nuk ka qenë referendum për PDK-në, sepse fitorja e kësaj partie nuk do të jetë aq e bindshme, me diferencë prej 9.9 % ndaj LDK-së, kur të korrigjohet me 9 janar vota e dhunuar në komunat e Drenicës dhe disa tjera. Në zgjedhjet e përsëritura nuk ka aspak dyshim se do të fitojë sërish PDK-ja, sepse ato mbahen kryesisht në komunat që janë bastionet e kësaj partie, por në total, pa atë tepricë të fletëvotimeve me votues fiktivë, PDK-ja në tërësi do të ketë 3 deri 4 % më pak elektorat, jo 35%, por rreth 31%, kurse konkurrentët e saj do të ngritën për ndonjë përqindje.
Një dëm tjetër për Thaçin dhe partinë fituese është edhe thellimi i pakënaqësive dhe inateve në strukturat e partisë, që mund të çojnë drejt çarjeve më serioze.
Sidoqoftë, ajo që ka ndodh në Skenderaj, Drenas, Malishevë, Lipjan dhe Deçan, e në përmasat më pak të dukshme edhe në disa komuna tjera, nuk le aspak vend për triumfalizëm dhe vetëkënaqësi. Turpi i dhunimeve të votës adresën e vetme e ka te kastat politike, ku përgjegjësia kryesore megjithatë i takon partisë më të madhe dhe liderëve të saj, në krye me Hashim Thaçin. Nuk është populli i Drenicës, e as në përgjithësi populli i Kosovës, shkaktar i këtij turpi. Por janë udhëheqësit e partive, shumë komisionarë, deputetë dhe kandidatë, ata që kanë shkelur ligjin dhe ngritur shkallën e keqpërdorimeve të votës në përmasat që zgjedhjet i kanë sjell buzë ilegjitimitetit.
Thaçi dhe lidershipi i PDK-së nuk është dashur të mbeten kaq indiferent ndaj abuzimeve të përmasave të mëdha në bastionin e tyre. Kuptohet, t’i shkulësh abuzuesit si barin e keq nuk është një punë aq e lehtë. Të paktën këtë nuk mund ta bëjnë ata që e kanë mbjellë ose lejuar që bari i keq të mbisundojë elektoratin e bastionit.
Rinumrimi i pjesshëm kontrollues, që nuk është edhe aq i vrullshëm, ndoshta do të përmirësojë pjesërisht përshtypjen e keqe. Gjithsesi i mbetet detyrë e KQZ-së dhe instancave mbikëqyrëse që të bëhet llogaritja e fundit e dëmit dhe parregullsive dhe pastaj të merret vendimi për arrnim, me çka nuk do të dëmtoheshin shumica e votuesve të ndershëm, apo që zgjedhjet të përsëriten në tërësi, çka kërkojnë disa parti dhe individë.
Ma merr mendja se pragmatizmi më shumë ngre nga opsioni i arrnimit, që të riparohet vota aty ku ka pas hajni. Mbase edhe faktorët ndërkombëtarë preferojnë këtë solucion. Në kohën kur imazhi i Kosovës është ngrysur mjaft pas atij raporti tepër djallëzor dhe pa dëshmi të Dick Martynit, ndërkombëtarëve nuk i duhet edhe një dështim i plotë që do të rrënonte edhe më tej insistimin e tyre se Kosova është “një tregim i suksesshëm”. Arsye tjetër për arrnim është që të mos humbet koha, sepse zgjedhjet e reja do të shtynin krijimin e qeverisë së re deri në pranverë, dhe kjo pa garanci se rezultatet do të ishin më ndryshe nga këto që i kemi sot.
Po, pse janë humbës edhe subjektet tjerë?
LDK-ja që e pati një javë të euforisë së madhe për shkak të “përtëritjes” që ndodhi (zëvendësimi i Fatmir Sejdiut me Isa Mustafën), pas zgjedhjeve është shfryer si një ballon me cipë të hollë. Isa Mustafa nuk arriti që të realizojë as reformën e partisë, e as koalicionet parazgjedhore që do ta ringjallnin “elektoratin triumfus të kohës së Rugovës”. Mustafa tani lë përshtypjen e një udhëheqësi të zhgënjyer që fajin për suksesin e pjesshëm, ose më saktë për dështimin, ia mvesh të tjerëve, keqpërdorimeve të votës, komploteve etj., ndonëse është e qartë si loti se ai vetë nuk deshi, ose nuk kishte fuqi prej lideri që t’i bind dinosaurët e LDK-së për bërjen e koalicioneve parazgjedhor me Ukë Rugovën dhe Nexhat Dacin, e ndoshta edhe me FER-in dhe AAK-në.
Humbës janë edhe AAK-ja dhe AKR-ja, sepse nuk janë as përafërsisht votave që kanë aspiruar dhe premtuar. AAK-ja që vazhdon të kërkoj postin e kryeministrit, sikur nuk e sheh se kanë ndryshuar rrethanat dhe raporti i forcave, dhe duhet ta analizojë dhe rikonceptojë edhe formulën e bërjes së opozitës dhe të profilizmit të partisë. AKR-ja, nga ana tjetër, nuk ka përfituar nga amalgamimi i partive të orientimeve tejet të ndryshme, që në esencë nuk kanë dhe nuk mund të kanë një program koheziv. Ato votat shtesë që i kanë fituar në të kaluarën, kanë qenë si duket nga rrjedhjet e LDK-së, dhe konsolidimi relativ i kësaj partie me ardhjen e Isa Mustafës, i ka lënë në cektësinë, në pozitën e peshkut pa ujë.
LDD-ja është par exellance humbëse sepse nuk ka siguruar as 5 %. Ka qenë ky dënim për qëndrimin pa asnjë ngjyrë dhe koncept në Kuvendin e Kosovës. Inati ndaj Fatmir Sejdiut nuk ka mundur të jetë kartë afatgjate politike për mbijetesë.
Vetëvendosja objektivisht nuk është humbëse, sepse pati start të mirë, por dëmtimi i votës së saj për disa përqind, edhe pse mbeti parti e tretë me mandate, vetëm e shton pakënaqësinë e këtij subjekti me “popullin” në emër të cilit flet gjithnjë. Problemi tjetër i Vetëvendosjes me këtë rezultat është se nuk i mundëson përshtatje të lehtë me rolin e ri. Nuk ka fuqi mjaftueshme për faktorizim brenda kuvendit, e as për bojkotimin dhe kushtëzimin e qeverisjes.
Edhe FER-i objektivisht nuk është humbës, sepse si parti rishtas e formuar, ka garuar mirë, dhe me gjasa është dëmtuar. Por, humbja në start sigurisht se do të jetë sfidë e madhe për këta politikanë të rinj.