Hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009: Mbi dyshime apo fakte, kjo është çështja
Gjithçka për seancën e sotme
Tiranë, 27 Dhjetor 2010 NOA – Ashtu si seanca e së enjtes që vazhdoi 20 orë deri mëngjesin e të premtes, edhe kjo e sotmja është shndërruar në një ambient të vërtetë ankandi, ku dy palët ofrojnë secila me të vetën por nuk po gjendet një blerës që të marrë ofertën e njërit prej tyre, pasi pritet të shpallet një fitues.
Kryeministri Berisha i qëndron në të gjitha ndërhyrjet e tij sonte, shtatë deri tani pak, një orë pas mesnate, duke kërkuar që e vetmja gjë që duhet realizuar është hetim duke respektuar vendimet e gjykatave dhe konform Kushtetutës e ligjeve të vendit. Thënë më troç, Berisha kërkoi që të mos ketë hetim mbi dyshime por mbi fakte.
Nga ana e së majtës, oferta e Ruçit, kreu i grupit Parlamentar socialist, është gjithnjë ajo e javës që shkoi, që mbi bazën e dyshimeve që shpreh opozita, të kruhen hetime të plota në kutitë që përmbajnë materialet zgjedhore.
Berisha nuk reshti së bëri batuta gjatë pesë orëve të seancës që ende vazhdon, duke u ndalur mëse një herë tek greva e urisë së opozitës.
Kryeministri tha gjithë ironi se greva e urisë u zhvillua me sukses nën kujdesin e tij dhe theksoi se “nën kujdesin e veçantë të kryeministrit u garantua ushqimi për të gjithë grevistët e urisë”.
Kurse duke iu rikthyer herë pas here hetimit të zgjedhjeve i akuzoi socialistët se vuajnë nga faktofobia.
Socialistët ia kthyen me të njëjtën monedhë mazhorancës dhe drejtpërdrejt kryeministrit, duke e akuzuar se ai po pengon hetimin dhe se e hëngri fjalën e mbajtur para disa muajsh, duke shkelur madje sipas tyre edhe angazhimin e shprehur publikisht për zbatimin e rezolutës së Parlamentit Evropian.
Në këtë mënyrë, ndërsa mesnata po afron, asgjë e re nuk duket në horizont. Parlamenti vazhdon ashtu si në pragun e Krishtlindjeve edhe tani pas festës kristiane, që të vlojë nga debati, replikat dhe batutat, por pa asnjë zgjidhje. E thënë shkoqur, ankandi i hapur që nga e enjtja, ende s’po shpall fitues, faktet apo dyshimet. Gjasat megjithatë, janë që ky komision të mos ngrihet, por surprizat politike asnjëherë nuk janë të mangëta në Shqipëri, ndaj të presim zhvillimet e mëvonshme në Kuvend.
e.r/NOA
MBYLLET SEANCA, RREZOHET KOMISIONI HETIMOR