English

Votimi në Parlament, rrëzohet ngritja e Komisionit Hetimor siç e kërkoi PS

Gjithçka për seancën maratonë

Tiranë, 27 Dhjetor 2010 NOA – Me 69 vota kundër, 56 pro dhe 1 abstenim, Parlamenti vendosi pak pak mesnate duke hyrë e marta, të rrëzojë kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar.

“Meqenëse nuk mbërriti asnjë propozim i mbështetur mbi baza ligjore, mbetet i vlefshëm për votim një propozim i bërë nga Partia Socialiste më 2 dhjetor 2010 të cilin mazhoranca e konsideroi si të paligjshëm dhe të papranueshëm:, - deklaroi kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli duke motivuar procesin e votmit dhe sqaruar se po votohej kunder draftit te PS.

Në votimin për prezencën rezultuan të pranishëm në sallë gjithsej 126 deputetë.

***

Ashtu siç ishte rënë dakord javën e kaluar, seanca u mblodh pasi iu la kohë përfaqësuesve të grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës për të konluduar një marrëveshje të mundshme në lidhje kërkesën e 35 deputetëve “Për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë qershor 2009”.

Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij përpara deputetëve theksoi se mazhoranca është e gatshme të nisë hetimin e zgjedhjeve me kusht që në projektvendimin e Parlamentit të përfshihet pika e kërkuar nga demokratët për hetimin e zgjedhjeve duke respektuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.

Duke iu referuar zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm, zoti Berisha garantoi qytetarët shqiptarë se ato do të jenë të lira dhe të ndershme.

Deputetët e mazhorancës dhe opozitës paraqitën pikëpamjet e grupeve parlamentare përkatëse në një debat që zgjati deri pas mesnate.

Në përfundim, Kuvendi rrëzoi kërkesën e 35 deputetëve “Për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë qershor 2009”.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi edhe projektrezolutën “Për integrimin Europian të Shqipërisë”, propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Seanca plenare, që shënoi mbylljen e Sesionit të Tretë të Legjislaturës XVIII, i mbylli punimet rreth orës 00:20.

Para votimit

Ashtu si seanca e së enjtes që vazhdoi 20 orë deri mëngjesin e të premtes, edhe kjo e nisur pasditen e së hënës dhe përfunduar pas mesnate, u shndërrua në një ambient "ankandi", ku për mbi gjashtë orë, dy palët ofruan secila me të vetën por duke mos gjetur një "blerës" që të marrë ofertën e njërit prej tyre, derisa në fund o krye votimi që shpalli mosngritjen e Komisionit ashtu sic e kishte kërkuar PS.

Kryeministri Berisha i qëndroi në të gjitha ndërhyrjet e tij duke kërkuar që e vetmja gjë që duhet realizuar është hetim duke respektuar vendimet e gjykatave dhe konform Kushtetutës e ligjeve të vendit. Thënë më troç, Berisha kërkoi që të mos ketë hetim mbi dyshime, por mbi fakte.

Nga ana e së majtës, oferta e Ruçit, kreu i grupit Parlamentar socialist, ishte gjithnjë ajo e javës që shkoi, që mbi bazën e dyshimeve që shprehte opozita, të kryhen hetime të plota në kutitë që përmbajnë materialet zgjedhore.

Berisha nuk reshti së bëri batuta gjatë pesë orëve të seancës që ende vazhdon, duke u ndalur mëse një herë tek greva e urisë së opozitës.

Kryeministri tha gjithë ironi se greva e urisë u zhvillua me sukses nën kujdesin e tij dhe theksoi se “nën kujdesin e veçantë të kryeministrit u garantua ushqimi për të gjithë grevistët e urisë”.

Kurse duke iu rikthyer herë pas here hetimit të zgjedhjeve i akuzoi socialistët se vuajnë nga faktofobia.

Socialistët ia kthyen me të njëjtën monedhë mazhorancës dhe drejtpërdrejt kryeministrit, duke e akuzuar se ai po pengon hetimin dhe se e hëngri fjalën e mbajtur para disa muajsh, duke shkelur madje sipas tyre edhe angazhimin e shprehur publikisht për zbatimin e rezolutës së Parlamentit Evropian.

e.r/NOA
KOMENTE