English

Berisha me fëmijët e policive të rënë në detyrë: Mos hezitoni t’u drejtoheni institucioneve

Tiranë, 28 dhjetor, NOA - Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se kuadri ligjor për ndihmën ndaj familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës është i plotësuar dhe se çdo fëmijët e tyre nuk duhet të hezitojnë për t’ju drejtuar institucioneve për çdo kërkesë.

“Unë e kuptoj se problemet familjare janë të shumta, por ju ftoj ju, të mos nguroni në çdo rast për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve shtetërore, aty ku ndodheni. Ligjet dhe kuadri ligjor është plotësuar, por të jeni të sigurt ju, se ne qëndrojmë të gatshëm për çdo boshllëk dhe qeveria ime është e vendosur të bëjë çdo gjë, që ju në mungesë të njerëzve tuaj më të dashur të keni një jetë sa më normale”, tha ai.

Deklarata e kreut të qeverisë u bë në ceremoninë festive të organizuar për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës.

Në këtë aktivet Berisha ishte i shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha. Për fëmijët u shpërndanë dhurata dhe çdo fëmijë përfitoi edhe një shumë prej 200 mijë lekësh, kontribut i punonjësve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit.

“Ju garantoj se qeveria, do të bëjë gjithçka që të lehtësojë përpjekjet tuaja për të ndërtuar të ardhmen që ju meritoni. Ne me asgjë nuk mund të zëvendësojmë më të dashurit tuaj, por ne do të bëjmë gjithçka, që të keni mbështetje të plotë siç e meritoni, ky është një detyrim i madh i shoqërisë shqiptare ndaj jush, ndaj familjeve tuaja”, tha kreu i qeverisë.

Ai vlerësoi se të afërmit e tyre kanë bërë sakrificën më të madhe që mund të bëhet për një vend.

“Sakrifica sublime e baballarëve tuaj, e bashkëshortëve tuaj, e fëmijëve tuaj, qëndron në themel të rezultateve, të sukseseve, të garancisë së jetës, pronës, veprimtarisë së qytetarëve shqiptare, por edhe në themel të njërës prej arritjeve personale me të mëdha në jetën e çdo shqiptari, siç është lëvizja e lirë në Europë”, tha sot Berisha.

a.k/NOA

KOMENTE