Tiranë, 28 dhjetor, NOA – Një ditë pasi mazhoranca hodhi poshtë me shumicë votash në seancën e fundit të kuvendit, kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor sipas një projektmarrëveshjeje të përpiluar nga deputetët e PS-së, kryeministri Berisha deklaroi para pak minutash se mosarritja e kompromisit u minua jo nga mazhoranca, por nga opozita, apo lidershipi i saj, i cili bëri gjithçka që të nëpërkëmbte vullnetin e sovranit. Nuk mund të hetohet pa fakte apo grup faktesh theksoi kryeministri, duke iu referuar projektvendimit të paraqitur për tu miratuar nga opozita.
Shefi i ekzekutivit në një konferencë të posaçme për shtyp nga selia e qeverisë, që pritet të jetë e fundmja për këtë vit, akuzoi rishtas opozitën se se ajo kërkonte kompromis duke shkelur kushtetutën.
Kryeministri risolli në vëmendje përballë gazetarëve se Ps bëri të pamundurën të fuste vizat në kuti, dhe të minonte pra arritjen historike të lëvizjes së lirë, e bërë realitet në 15 dhjetor.
Duke iu referuar rishtas zgjedhjeve të 28 qershorit, Berisha theksoi se ishin pikërisht këto zgjedhje që i sollën Shqipërisë këtë fundviti heqjen e vizave, edhe pse opozita sikundër tha ai bojkotoi kuvendin për shumë muaj vetëm e vetëm që ky vendim të mos merrej nga BE.
“Do të bëjmë të pamundurën që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE të ecë pa u ndalur”, tha shefi i qeverisë.
Ky vit, vlerësoi kryeministri pati një progres të madh sa i përket demokracisë, pasi sikundër cilësoi ai “Jeni dëshmitarë se ne dëshmuam pjekuri të plotë politike, për të respektuar të drejtat e opozitës, që kurrë më parë nuk ishin zbatuar në këtë mënyrë”.
Në këtë kontekst ai garantoi se qeveria do të respektojë çdo të drejtë të opozitës, duke siguruar se ai dhe mazhoranca ishin të gatshëm për çdo kompromis, por jo duke shkelur kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Është detyrë jona tha kryeministri të respektojmë opozitën, por jo duke nëpërkëmbur votat e sovranit.
Gjithashtu shefi i qeverisë siguroi se lufta kundër krimit të organizuar do të vijojë, ashtu sikundër edhe ajo ndaj trafiqeve, ndërkohë që siguroi se reformat e qeverisë nuk do të njohin ndalesë gjatë vitit të ardhshëm.
Kryeministri Berisha garantoi se “udhëhiqem vetëm nga një ide, të mbroj votën e shqiptarëve, porse edhe pse opozita bëri përpjekje të mëdha për shkeljen e vullnetit tuaj, unë qëndrova me vendosmërinë më të madhe pasi shqiptarët votuan me vullnetin e tyre” cilësoi zoti Berisha.
Duke iu kthyer heqjes së vizave, të cilat i mundësuan shqiptarëve të ecin dinjitozë në rrugët e Europës, Berisha tha se “Duhet t’u jemi mirënjohës të gjitha qeverive që në të gjitha rrethanat i vlerësuan zgjedhjet e shkuara të 28 qershorit si më të rregulltat dhe më demokratiket të mbajtura ndonjëherë në këtë vend gjatë 20 viteve të tranzicionit”.
Kryeministri Berisha foli edhe për ekonominë shqiptare, duke theksuar se është e rrallë që Shqipëria ka njohur vetëm ecuri të larta në zhvillimet e saj gjatë këetij viti, duke i cilësuar si ekzotike këto arritje si në lëmin e investimeve ashtu edhe në uljen e borxhit. Vijon..
mit/NOA