Tiranë, 28 dhjetor, NOA- Në vazhdim të fjalës së tij, Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi se gjatë këtij viti vendi ynë ka shënuar rritje ekonomike të mëdha, duke qenë ndër të paktët vende që gjatë këtij viti, ka shënuar rritje ekonomike. Ne ia dolëm të jemi të vetmit në Europë të rrisim rrogat për punonjësit tanë, si asnjë vend tjetër i prekur nga kriza ekonomike, duke garantuar se edhe në vitin e ardhshëm rrogat dhe pensionet do të njohin të tjera rritje.
Faktori më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik në këto katër vite, sipas Berishës ka qenë infrastruktura, pasi sipas tij janë shtuar ndjeshëm rrugët e asfaltuara, çka ua ka bërë më të lehtë jetesën shqiptarëve.
“Një sukses tjetër madhor i këtij viti është Shqipëria dixhitale”, tha shefi i qeverisë, projekt për të cilin ai tha se bëri të mundur që në dy vitet e fundit familjet shqiptare në shumicën e tyre të jenë tashmë të pajisura me internet.
E në këtë kontekst ai u bëri një premtim edhe gazetarëve shqiptarë se do t’i pajiste me internet falas.
“Në arsim ne kemi shënuar përqindjen më të madhe për edukimin dhe për kalimin e nxënësve nga klasat e nënta në të mesme, pasi kombi po shkonte drejt injorancës nga niveli arsimor i pastandardizuar”, bëri me dije kryeministri.
Më tej ai tha se edhe numri i degëve për studentët shqiptarë janë shtuar, por theksoi se vëmendja kryesore do të jetë cilësia.
Lidhur me reformën në shëndetësia ai tha se pikërisht aty, duhet një kujdes i madh, madje edhe për reformën në shëndetësi.
Shefi i ekzekutivit garantoi se nesër miratohet ligji i ri për sigurimet shëndetësore. Duke iu rikthyer ekonomisë, kryeministri Berisha tha se gjatë këtij viti kanë shënuar rritje rekord eksportet shqiptare.
Vend në fjalën e kryeministrit gjeti edhe bujqësia, e cila sipas tij ka njohur rritjen më të paparë, ndërsa eksportet bujqësore janë rritur me 30% çka sipas tij tregon për një rritje të vazhdueshme të ekonomisë shqiptare.
“Qëllimi ynë është Shqipëria Europiane”, tha kryeministri.
Në fillim të fjalës së tij kryeministri Berisha theksoi se nuk mund të ketë hetim pa fakte.
a.y/NOA