Brindizi, 28 dhjetor, NOA – Dënohet me gjashtë muaj avokatja e familjarëve të viktimave të Otrantos, që arriti të mashtrojë dhe u vodhi të afërmve të viktimave edhe paratë e dëmshpërblimit për humbjen e të dashurve të tyre në kanalin e Otrantos, në marsin e ftohtë të 1997-ës, ku humbën jetën në mënyrë tragjike 81 vetë, ndërsa 24 të tjerë u shpallën të zhdukur pasi nuk u gjetën kurrë. Avokatja mbrojtëse e familjarëve të viktimave në gjykatën italiane, Natasha Shehu, u dënua nga gjykata italiane e Brindizit për mashtrim dhe përvetësim të dëmshpërblimeve që u takonin të afërmve të viktimave.
Pas denoncimit të familjarëve të mashtruar, ishte gjykata e Shkallës së Parë në Brindisi që vendosi ta dënojë përveçse me 6 muaj burg edhe me 300 mijë euro gjobë, të cilat Natasha Shehu duhet t’ua kthejë familjarëve të viktimave të Otrantos.
Tragjedia e 28 marsit 1997 në kanalin e Otrantos ndodhi për shkak të përplasjes së fuqishme të anijes luftarake italiane që patrullonte detin Sibilla, e cila sipas gjykimit goditi anijen e vogël “Kateri i Radës”, e cila i ishte drejtuar brigjeve italiane me mëse 100 emigrantë në bord.
Sipas gjykatës së Brindizit bashkë me të dënuarën Natasha Shehu, është dënuar edhe bashkëshorti i saj italian, Cosimo Argentiero.
Avokatja Natasha Shehu është e përfolur mediatikisht edhe për një tjetër histori, të bërë publike nga ajo vetë, se ishte e bija jashtë martese e ish-kryeministrit shqiptar të kohës së monizmit, Mehmet Shehu, një histori kjo e cilësuar si sajesë e trilluar nga vetë Natasha Shehu.
mit/NOA