English

Eagle Mobile, pranë fëmijëve të Pediatrisë së QSUT në prag të Vitit të Ri

Tiranë, 28 dhjetor, NOA - Eagle Mobile dhe Shoqata “Një botë për një zemër”, u janë gjendur pranë fëmijëve të Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me dhurata dhe një ceremoni me rastin e festave të fundvitit.

Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin; drejtori i shoqatës “Një botë për një zemër”, Agim Baçi; drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Sajmir Ivziku dhe dr. Durim Bebeci, shefi i Pediatrisë në QSUT.

Ata kanë shpërndarë dhurata dhe ëmbëlsira me rastin e ndërrimit të viteve duke vizituar fëmijët e shtruar dhe duke biseduar me prindërit e tyre.

“Jemi në qendrën më të madhe spitalore në Shqipëri dhe pikërisht në pjesën e tij më të rëndësishme, në spitalin e fëmijëve, e atyre që i duhen të ardhmes së vendit dhe që ne u japim shumë rëndësi. Për ne është me mjaft rëndësi që në këto ditë të fundit të 2010-ës të jemi me fëmijët që kurohen. Eagle Mobile që në ditët e para është futur në shumë projekte të ndryshme sociale, dhe fokusi ynë kryesor kanë qenë fëmijët jetimë dhe edukimi i tyre. Ne si Eagle Mobile jemi këtu si një kompani shqiptare dhe po veprojmë si një kompani shqiptare me përgjegjësi për këtë vend”, ka pohuar drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin.

Ndërkohë, drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka nënvizuar se iniciativa të tilla janë shumë të rëndësishme, pasi bëjnë që këta fëmijë të mos ndihen të vetmuar në këto ditë festash kur të gjithë festojnë së bashku në familje.

“Falënderojmë Eagle për mbështetjen që nuk është e para për QSUT. Unë besoj padyshim që kjo nuk do të jetë as herë a e fundit”, tha Izviku.

Fëmijët që morën dhurata u përkasin asaj kategorie që ka kryer ndërhyrje të rralla kryesisht në zemër.

Eagle Mobile do të vazhdojë edhe në të ardhmen tu qëndrojë pranë fëmijëve me projekte të ndryshme.

Shumë shpejt Eagle do të publikojë edhe nismën e vitit 2011 pas mbylljes me sukses të Vitit të Mjedisit nën sloganin “Një me natyrën”.

NOA

KOMENTE