English

Kryeministri Berisha: Ky vit hodhi themelet për një tjetër edhe më të suksesshëm

Tiranë, 28 dhjetor, NOA -(Update) Ndërsa po bënte rezymenë, për reformat e arritura kreu i qeverisë Sali Berisha u ndal tek turizmi.

“Një fushë tjetër që ka pasur bum ka qenë turizmi, në vitin 2004 Shqipëria kishte pritur 300 mijë vizitorë, ndërsa këtë vit dhjetë fishin e këtij numri”, deklaroi ai.

Më tej, duke u ndalur në këtë sferë të bilancit, Kryeministri Berisha tha se, Shqipëria është shpallur e bukura e dheut për vitin 2010, pasi turizmi në Shqipëri e tregoi këtë fakt.

“Turistët duan mjedis të pastër, ushqim të shijshëm, ambient mikpritës dhe të gjitha sipas tij kanë ardhur në saj të investimeve më serioze, çka kryeson 300 mijë kilometra rrugë”, nënvizoi ai.

Berisha tha më tej se edhe ato pak rrugë që kanë ngelur do të asfaltohen brenda këtij viti.

Rroga, pensionet tha ai kanë njohur një ndër rritjet më të mëdha në vite, pasi sipas tij, rritja e rrogave është kusht përcaktues për zhvillimin e burimeve njerëzore.

Lidhur me mbrojtjen, ai tha se Shqipëria përfaqësohet sot në Afganistan për frymë dhe pjesëmarrje si një nga vendet më të larta dhe më të pranishme.

Është shumëfishuar sipas tij demontimi, madje theksoi më tej se Shqipëria do jetë një ndër vendet e para që do çlirohet nga mbetjet e armëve të vjetëruara.

Më tej kryeministri tha se, interesi për librin sipas panairit të fundit, ishte një arritje e madhe, pasi të gjitha zhanret e kulturës kanë patur një inkurajim, një rritje dhe një përkrahje të admirueshme.
“Viti ka patur dy përmbytje të dhimbshme në Shkodër, këto përmbytje kanë dëshmuar dhe shkallën më të lartë të përgjegjësisë të autoriteteve shtetërore, madje janë përballuar sipas tij, me një rezultat shumë optimist pa asnjë viktimë”, u shpreh kreu i ekzekutivit lidhur me përmbytjet që tronditën qytetin e Shkodrës.

“Viti ka hedhur themelet për një vit shumë të suksesshëm që na pret sepse Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë një nivel tjetër jetese, një Shqipëri e cila do jetë gjithnjë më reale, për vëmendjen evropiane”, përfundoi fjalën e tij numri një i qeverisë.

a.y/NOA

KOMENTE