English

Kryeministri: Nënë Tereza nderoi sa askush tjetër njeriun dhe vlerat e tij shpirtërore

Tiranë, 28 dhjetor, NOA – Monografia me titull “The mother of charity” dedikuar Nënë Terezës në 100 vjetorin e lindjes së saj, nga Dom Lush Gjergji ishte lajtmotiv i një ceremonie të veçantë të mbajtur sot në selinë e Këshillit të Ministrave, ku bashkë me promovimin e monografisë u prezantua edhe ekspozita kushtuar Nënë Terezës, e cila përmbylli edhe vitin jubilar në nderim të 100 vjetorit të lindjes së figurës së madhe të humanistes me origjinë shqiptare, të Lumturuarës Nënë Tereza. Në këtë aktivitet të organizuar nën kujdesin e çiftit kryeministror, morën pjesë drejtues të klerit shqiptar, personalitete të shquara të artit shqiptar, studiues dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Shqipëri, të cilët rrëfyen përmes kujtimesh dhe fotografish momente nga jeta e Nënë Terezës, veçanërisht nga vizitat e saj Shqipëri.

Gjatë prezantimit të monografisë kushtuar Nënë Terezës, si mëma e mirësisë, kryeministri Berisha u shpreh se ndjehej veçanërisht i lumtur të mikpriste në ambientet e kryeministrisë këtë ekspozitë dhe prezantimin e kësaj monografie.

Duke falënderuar Dom Lush Gjergjin për punën e tij, shefi i ekzekutivit tha se ishte i nderuar që përmes kësaj monografie paraqitej para shqiptarëve dhe mbarë botës dashuria, adhurimi e përkushtimi i Dom Lush Gjergjit ndaj nënës, motrës, vajzës, gruas shqiptare që, me besimin e saj tek Zoti, tek Krishti, ia doli të pushtojë më shumë se kushdo tjetër në kohën e saj zemrat e njerëzve.

“Nënë Tereza i dha nder të madh njeriut së pari, i dha nder sigurisht familjes e kombit të vet, por mbi të gjitha nderoi sa askush tjetër, njeriun dhe vlerat e tij shpirtërore”, vlerësoi kryeministri.

Kryeministri Berisha u shpreh për mënyrën si e kishte njohur dhe se si priste me padurim ta takonte kur të vinte në Shqipëri.

“Shumë vite më parë, duke parë në një televizion të huaj në një dokumentar punën e saj në Kalkuta, duke parë qeniet njerëzore me të cilat ajo merrej dhe ndihmonte, mbeta i mahnitur, sepse ata ishin të braktisur nga të gjithë, të braktisur nga mjekësia që duhet të ishte aty, të braktisur nga shoqëria, të braktisur nga familja, të braktisur nga të gjithë, përveç asaj dhe vetishëm më krijon një kureshtje dhe doja të dija se ku qëndronte dhe cili ishte burimi i forcës së saj, ku e gjente kjo grua shtatvogël atë forcë shpirtërore të operonte aty ku të gjithë të tjerët mungonin. Dhe me padurim kam pritur ta takoj në Shqipëri”, tregoi shefi i qeverisë.

Kryeministri vlerësoi Dom Lush Gjergjin përkushtimin e tij ndaj njeriut, të cilin, sado e çfarëdo të bëjmë tha kryeministri nuk do të arrijmë ta nderojmë kurrë, aq sa na nderoi Nënë Tereza ne.

Duke vlerësuar besnikërinë e autorit ndaj përshkrimit të figurës së Nënë Terezës, zoti Berisha vlerësoi se e lumturuara Nënë Terezë ishte nëna që bekoi ndërmarrjen e misionit të saj të pavdekshëm.

Mësohet se deri më tani monografia “Mother of Charity” deri tani është porositur në mbarë Europën në 5 milion kopje.

Autori Dom Lush Gjergji i dhuroi Kryeministrit kopjen e parë të monografisë.

Në dedikimin e tij për kryeministrin Dom Lush Gjergji shkruajti se “Me një ndjenjë të thellë të nderimit, të falenderimit e të dashurisë që kam për të, e që Kryeministri e ka për Nënë Terezën, për humanizmin dhe për atë që është munduar të bëjë vite të tëra për Shqipërinë tonë.

mit/NOA
KOMENTE