English

LSI: Rama, peng i strukturave të krimit të organizuar dhe klaneve mafioze

Tiranë, 28 dhjetor, NOA, UPDATE – Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ka akuzuar sot kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama se është peng i krimit të organizuar që ka interesa në Bashkinë e Tiranës.

Në deklaratën e dhënë sot për mediat, Rama ka theksuar se sot Rama ka folur si një person i marrë peng nga strukturat kriminale.

“Socialistët nuk ka sesi të ndihen keq për shkak të gjendjes në të cilën gjendet për fat te keq për PS-në, kryetari i tyre, i cili edhe në shfaqjen e tij të fundit mediatike nuk doli në emër të interesa të socialistëve, në emër të qytetarëve të këtij vendi, por foli si zëdhënës mjeran i zënë peng nga struktura e krimit të organizuar, nga klane mafioze të cilat vazhdojnë të ushtrojnë presion dhe e detyrojnë atë të flasë me këtë gjuhë për të bërë shantazh që t’i dhurohet Bashkia e Tiranës”, tha Luan Rama.

Ai theksoi se Rama kërkon Bashkinë, pasi në të kundërt ai humbet gjithnjë ndikimin që ka në PS dhe më gjerë.

“Ai e di shumë mirë që me largimin e tij nga andej, socialistët do ta largojnë edhe nga partia dhe kështu do të marrë fund përfundimisht një vatër e kontaminuar keq, që përdoret për interesa që nuk kanë të bëjë me interesat e qytetarëve të Tiranës, por që si e tillë është shndërruar në një vatër ku përplasen dhe ku drejtojnë interesat kriminale të qarqeve të njohura tashmë të pastrimit të parave të cilat e kanë shndërruar Tiranën në Tiranën e betonizimit”, tha Rama.

Ai ka kërkuar nga socialistët që të distancohen nga Edi Rama dhe ngrihen në nivelin e përgjegjësive të misionit të tyre të shenjtë të solidaritetit dhe të vlerave që ata kanë kultivuar në vite.

“Nuk iu shkon socialistëve shqiptarë të jenë jashtë proceseve europianizuese dhe integruese të vendit, nuk iu shkon socialistëve shqiptarë të bëhen pengesë për rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë euriopiane”, tha Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se kreu i PS nuk “nuk ka të drejtë të tallet me interesat e socialistëve dhe të përdorë PS-në si ombrellë për gjithçka lidhet me një prapavijë kriminale që e komandon atë”.

a.k/NOA

KOMENTE