Shkup, 28 dhjetor, NOA – Tashmë u bë një vit nga liberalizimi i vizave, momenti kur ra për tokë muri i Shengenit. Ndërsa, qytetarët shqiptar këtë mundësi më së shumti e shfrytëzuan për të kërkuar shpëtim nga varfëria, sesa për të udhëtuar si turistë në vendet evropiane.
Sidomos, banorët e Malësisë së Karadakut të Kumanovës si dhe ata të Luginës së Preshevës, braktisën vendin e tyre për një jetë më të mirë vendet perëndimore.
Ndërkaq, një pjesë e qytetarëve vetëm i ëndërruan ‘shopingun’ dhe shëtitjet në qendrat e mëdha tregtare, apo jetën e natës në vendet e Bashkimit Evropian. Ata thonë se nuk kanë lek për të ngrënë e lere më për shëtitur Evropën.
“Skam para, akoma nuk e kam nxjerrë pasaportën biometrike. Mezi u sigurojë bukën 7 anëtarëve të familjes. Punojë si hamall për 10 euro gjithë ditën. Në këto kushte s’mundem të udhëtoj as në vendet e rajonit, e lerë më, më larg”, thotë Ramadani nga qyteti i Shkupit. Fatin e tij e ndajnë edhe mijëra qytetarë të vendit të cilët thonë ndjehen të harruar nga shteti, njofton agjencia e lajmeve INA.
Njohësit e çështjeve evropiane thonë se, optimizmi i madh për liberalizimin e vizave nuk do të gëzojë pjesën e qytetarëve, të cilët si të vetmen mundësi të tejkalimit të situatës së pashpresë, të krijuar tashmë si rezultat i politikave jo efikase të Qeverisë, e shohin nëpërmjet braktisjes së vendit të tyre për një jetë më të “mirë perëndimore”.
Ligjëruesi universitar i së Drejtës Evropiane, Muhamer Pajaziti thotë se, Qeveria duhet të bëjë më shumë për hapjen e vendeve të punës dhe rritjes së standardit të mirëqenies.
“Qeveria e Maqedonisë, duhet të sensibilizojë të gjithë qytetarët e saj se, integrimi evropian dhe mundësitë që ky integrim i ofron nëpërmjet lëvizjes së lirë, nuk nënkuptojnë largimin nga vendi dhe rivendosjen në vendet e Perëndimit. Përkundrazi integrimi nënkupton forcimin e brendshëm dhe rritjen e mirëqenies, sepse edhe kohët e fundit tregojnë se edhe BE-ja, përkatësisht shtetet anëtare të saj po kalojnë faza kritike, sidomos në lidhje me vendet e punës dhe mirëqenien sociale”, thotë Pajaziti.
NOA-INA