Gjakovë, 28 dhjetor, NOA – Ndërkohë që institucionet ndërkombëtare, EULEX dhe Prokuroria e Kosovës kanë kërkuar të gjitha faktet që argumentojnë akuzat për trafik organesh, ndaj udhëheqësve të UÇK-së dhe kryeministrit Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Gjakovë, deklaroi papajtueshmërinë e shtetit shqiptar me këto akuza të trilluara, duke i cilësuar rishtas si një frymëzim antishqiptar i atyre që asnjëherë nuk janë pajtuar me integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Zëvendëskryeministri Meta theksoi se qarqet shqiptare i hedhin poshtë me neveri akuzat e përmendura në raportin e Dick Martit, akuza që sipas Metës përfaqësojnë zërin ekstremist të pasuesve të politikës shoviniste të Sllobodan Millosheviçit.
“Absolutisht, raporti i Dick Martit është një frymëzim antishqiptar, për llogari të atyre qarqeve që asnjëherë nuk janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës, që nuk janë pajtuar me integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në rrjedhat euroatlantike. Padyshim ne hedhim poshtë me përbuzje këtë raport, të bazuar mbi halucinacione, trillime dhe fiksime aspak të faktuara. Nuk është hera e parë që qarqe të tilla nacionaliste, ekstremiste në Serbi frymëzojnë sulme të tilla ndaj Kosovës e Shqipërisë. Janë ato qarqe që janë të lidhura me përgjegjësinë e atij genocidi që ndodhi në Kosovë, në Bosnjë, në gjithë Ballkanin, pra janë pasuesit e politikës së Sllobodan Millosheviçit”, u shpreh zëvendëskryeministri Ilir meta.
Zoti Meta theksoi se raporti në fjalë është edhe kundër luftës së drejtë që bëri populli i Kosovës për lirinë e tij dhe njëkohësisht kundër afirmimit të Shqipërisë, si një vend plotësisht i devotshëm i komunitetit euroatlantik, që plotëson të gjitha detyrimet e veta.
“Ato qarqe antishqiptare dhe antiperëndimore kërkojnë të dëmtojnë një nga arritjet më të rëndësishme të dekadës së fundit, që është një Kosovë e lirë dhe demokratike, një Kosovë që është një shtet i lirë, që po tregon se funksionon përkundër atij gjenocidi të pashembullt që ndodhi këtu para 10 vjetëve”, tha Meta.
Zëvendëskryeministri Ilir Meta garantoi se Shqipëria do nisë një fushatë për çmontimin e këtij raporti, një fushatë që do të njohë një intensitett të lartë në qarqet ndërkombëtare.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta u prit në Gjakovë nga kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.
Meta e falenderoi kryetarin e komunës së Gjakovës për ndihmën e dhënë për banorët e Shkodrës dhe NënShkodrës, të cilët u prekën nga fatkeqësia natyrore e përmbytjeve.
Nga ana e tij, kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj u shpreh i gatshëm për të vijuar këto ndihma, duke iu gjendur pranë banorëve të prekur nga pasojat e fatkeqësisë natyrore.
“Ne çdo herë kemi qenë afër Shqipërisë, sikurse Shqipëria ka qenë afër Kosovës. Ne tani jemi munduar që në mënyrë simbolike të jemi afër qytetarëve të Shkodrës. Këtë e bëjmë me kënaqësi dhe ndihemi mirë për këtë, sepse jemi një komb”, u shpreh kryekomunari i Gjakovës.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, zëvendëskryeministri zhvilloi takime edhe me kryetarët e komunave të Deçanit, Ferizaj dhe Junikut, të cilëve u shprehu falenderimet dhe vlerësimet më të larta për kontributin e tyre në ndihmë të banorëve të përmbytur.
Në këtë vizitë zëvendëskryeministri Ilir Meta shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, dhe nga deputeti Gjok Uldedaj.
mit/NOA