English

Presidenti Topi: Nuk ka kohë për debate, përgatituni për zgjedhje, anëtarësimi për në BE sfidë e politikës

Tiranë, 28 dhjetor, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaron se paritë duhet të shmangin debatet e zgjatura, por duhet të shkojnë në zgjedhje të përgatitur.

Ai tha se, “Partitë politike duhet të punojnë me kohën dhe besoj se janë në limitet e fundit kohore për të diskutuar për mënyrën se si do të shkohet në këto zgjedhje, me çfarë ligji do të shkohet dhe për të krijuar klimën e nevojshme dhe infrastrukturën e nevojshme, që zgjedhjet e pushtetit vendor të 8 majit të zhvillohen në kushte shumë korrekte. Po të kalojmë në debate të zgjatura atëherë do të jemi shumë afër zgjedhjeve të pushtetit vendor dhe do të jenë të papërgatitur qoftë pushteti vendor, qoftë qytetarët.”

Lidhur me imunitetin e deputetëve kreu i shtetit u shpreh se, “Që Prokuroria të jetë në kushte më komode për të hetuar mbi politikanët duhet që të gjithë politikanët të dorëzojnë imunitetin e tyre , gjë që nuk e kanë bërë. Ka pasur gjithmonë deklarime por praktikisht asgjë konkrete. Unë shoh të arsyeshme që në një vend të vogël sikurse është Shqipëria duhet patjetër të jemi të hapur dhe konkretë kur themi që duhet të dorëzojmë imunitetin.”

Lidhur me akuzat për korrupsion mes partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, ai theksoi se që të shmangen këto duhet që të gjithë politikanët të lënë imunitetin e tyre në mënyrë që të mos bëhen pengesë për hetime.
Ai e cilësoi si një arritje gjigante për vitin që lamë pas Liberalizimin e vizave. Ndërsa anëtarësimin për në BE, ai e cilësoi si nj sfidë për politikën shqiptare.

a.y/NOA
KOMENTE