Tiranë, 28 dhjetor, NOA - Prokuroria e Pogradecit ka nisur procedimin penal ndaj një gjyqtari në Korçë, Alvano Murataj, i cili akuzohet për dëshmi të rreme. Në këtë kontekst Prokuroria e Përgjithshme i ka dorëzuar një kërkesë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për heqjen e imunitetit të gjyqtarit Murataj dhe vazhdimin e hetimit në ngarkim të Alvano Murataj pa imunitet gjyqtari.
Këshilltari për Median dhe Marrëdhëniet me publikun në Prokurorinë e Përgjithshme, Plator Nesturi informoi në një deklaratë për shtyp se gjykimi penal ndaj shtetasit Alvano Murataj bëhet pasi gjatë një procedimi për veprën penale të korrupsionit, ai ishte thirrur me statusin e dëshmitarit, ku ka dhënë shpjegime në fazën e hetimeve paraprake, të cilat janë vlerësuar si të drejta dhe në përputhje me të gjitha provat e tjera.
Por, në seancën gjyqësore për këtë çështje, kur është thirrur të pyetet rishtas si dëshmitar, shtetasi Alvano Murataj, ka ndryshuar thëniet duke dhënë dëshmi të rreme në favor të të pandehurit.
mit/NOA