English

“Pronësi me Drejtësi”: Zgjidhja e pronës, kërkon ndërhyrje të Europës dhe SHBA

Tiranë, 28 dhjetor, NOA - Populli i Dukatit meriton mbështetje për protestën paqësore, maturinë dhe solidaritetin që po tregojnë në kërkimin e të drejtës së tyre për pronësinë e asaj që u takon.

Kështu shprehet Rrapo Danushi, kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, në një letër publike, duke shtuar në radhët e saj se jo vetëm shqiptarët, por dhe institucionet ndërkombëtare e kanë të qartë se në këto 20 vjet me pronat nuk ka progres, por ka regres dhe këtë e kultivoi postkomunizmi me ligjet që shkelin të drejtën e pronës.

“Prandaj dhe zgjidhja duhet bërë nëpërmjet ligjit. Kompensimi është vetëm një flluskë sapuni e shpikur nga politikanët batakçinj që kanë grabitur pronat tona.

Fatkeqësisht, anarkia e pronës ka ndodhur me mbështetjen, me projektet dhe fondet e europianëve, dhe këto qëndrime armiqësore ndaj pronarëve autoktonë duhet të korrigjohen, po prej tyre nëpërmjet kushtëzimit të shtetit , që të jetë detyrimi i pushtetit për kthimin me ligj të pronës tek i zoti”, shton Danushi.

Duke cituar më pas se zgjidhja e kërkesës së Dukatit dhe gjithë pronarëve të ligjshëm, që përputhet me nenin 181 të Kushtetutës dhe me kërkesat e raportit të Bashkimit Europian është i thjeshtë por pengohet pasi mungon vullneti politik.

“Zgjidhja kërkon ndërhyrje të Europës dhe të SHBA. Kjo ndërhyrje do të shërojë plagën e popullit, do të mbylli burimin e korrupsionit për pushtetarët, këtë krim të organizuar që mohon demokracinë dhe do të largojë nga rruga antikombëtare politikanët mëkatarë dhe pa integritet që për para po shesin dhe shkatërrojnë Shqipërinë.

Me këtë ndërhyrje Evropa dhe SHBA, ashtu si në 1990 me hapjen e ambasadave, sot do të rivendosin të drejtën e shkelur, do të shmangin vetëgjyqësinë, do të krijojë kushte për stabilitet politik dhe zgjidhjen e krizës politike aktuale.

Pa kthyer pronën tek i zoti sipas kufijve të para grabitjes komuniste, nuk ka demokraci. Asnjë politikan shqiptar apo i huaj, nuk mund të thotë se: Shqipëria ka shtet ligjor, Kushtetutë dhe demokraci përderisa vetë Shteti e shkel kaq hapur Kushtetutën dhe nuk kthen me ligj pronën tek i zoti”, shton më tej letra.

Duke përfunduar se protesta paqësore e Dukatit është thirrje për të gjithë pronarët e bregdetit nga Velipoja e Lezha deri në Sarandë që të marrin shembull dhe të mos përçahen nga politikanët batakçinj siç ndodhi me Kakomenë, që u përçanë.

n.e/NOA

KOMENTE