English

Refuzimi i zgjidhjes së ngërçit, Presidenti Topi: Nevojitet mirëkuptim mes palëve

Tiranë, 28 dhjetor, NOA – Disa orë pas mosarritjes së kompromisit të nevojshëm për zgjidhjen e ngërçit politike në vend, ku kërkesa e PS-së u hodh poshtë me shumicë votash në seancën më të fundit të parlamentit e mbajtur enkas për ngritjen e komisionit hetimor, Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi se mosmarrëveshjet mes opozitës dhe pozitës në politikë janë të zakonshme në një vend demokratik, porse bëri apel që mes tyre të ketë më pak tension politik dhe më shumë produkt për shqiptarët. Presidenti i pyetur nga mediat shprehu besimin se palët kundërshtare në vend do ta gjejnë në të ardhmen gjuhën e mirëkuptimit në shërbim të vendit.

“Besoj se politika do ta gjejë vendin e vet. Natyrisht në urimin që kam dhënë gjithmonë, të kenë më pak tensione dhe sa më afër t’u afrohesh festave të rëndësishme, të cilat të shkëpusin pak nga politika, të bën që të reflektosh se ky vend do të ketë të ardhme në rast se do të ketë mirëkuptim. Nuk është e thënë që pozita dhe opozita të mirëkuptohen, sepse vetë termi ‘pozitë dhe opozitë’ nënkupton një lloj kontradiksioni brenda të gjitha parametrave demokratikë, por duke bërë atë që duhet të bëjmë për Shqipërinë, për njerëzit”, tha presidenti.

Kryetari i shtetit apeloi për më pak tension, më shumë argument dhe më shumë produkt.

Këtë deklaratë presidenti Topi e bëri pas ceremonisë festive për Vitin e Ri me fëmijët jetimë të shtëpisë “Zyber Hallulli” në kryeqytet, ku u shpreh se në një ditë dedikuar fëmijëve mesazhet për politikën janë të tepërta.

“Më lejoni që ta mbyll këtë ditë pa u marrë me politikën! Duke u marrë me fëmijët, sepse po të merremi me fëmijët, të jemi shumë të kujdesshëm për ata, jo thjesht për t’u uruar Vitin e Ri, por për t’u përkujdesur për të ardhmen e tyre, sigurisht që ata do të jenë e ardhmja e Shqipërisë në të gjitha këndvështrimet. Duhet të merremi më shumë me brezin e ri, të përkujdesemi, të japim mesazhet e duhura”, përfundoi prononcimin e tij kreu i shtetit, Bamir Topi.

mit/NOA
KOMENTE