English

Shoqata Bregdeti: Pronarët të gjithë në protestë, kërkojmë nga qeveria ligj për kthimin e pronës

Vlorë, 28 dhjetor, NOA- Shoqata “Bregdeti” nëpërmjet medias së shkruar shprehet publikisht se mbështet plotësisht kërkesat e pronarëve të Dukatit dhe të fshatrave për rreth që kërkojnë nga pushteti kthimin me ligj të pronave të tyre të trashëguara.

“Të gjithë pronarët e zonës turistike kanë protestuar dhe do vazhdojnë të protestojnë ndaj shkeljes së të drejtës së pronës së trashëguar dhe mbështesin protestën e Dukatit se ajo është protesta për t’u shkëputur nga anarkia postkomuniste dhe për tu futur ne demokraci”, thuhej në deklaratën e shoqatës Bregdeti.

Më tej në këtë deklaratë thuhej se, kanë kaluar 20 vjet pas shembjes së komunizmit dhe tokat në zonat turistike nuk ju janë kthyer të zotit, vjedhja bëhet në emër të ligjit.

“Qeveria vazhdon të bëj veshin e shurdhër dhe mashtron institucionet ndërkombëtare duke ju relatuar se problemi i pronës është zgjidhur ose duke ju relatuar gënjeshtra me kompensim. Ne kemi deklaruar dhe deklarojmë. Pronarit duhet ti kthehet prona, dhe e di ai se kujt ja shet dhe sa ja shet, ndërsa kompensimin qeveria le të ja japi politikanëve që kanë grabitur pronat tona”, vijonte më tej deklarata.

Në përfundim të kësaj letre shkruhej gjithashtu se, nëse Qeveria Berisha nuk do impenjohet që me përparësi në janar 2011 të miratojë në Kuvend një projektligj që të kthejë pronën tek i zoti, ashtu siç është kthyer në zonat turistike të veriut, një projektligj që të përputhet me nenin 181 të Kushtetutës dhe kërkesat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, vetë zoti Sali Berisha por dhe përfaqësitë e OSBE dhe BE do të mbajnë përgjegjësinë historike për pasojat negative që po rrjedhin dhe mund të rrjedhin nga mungesa e vullnetit politik për të kthyer pronën tek i zoti.

a.y/NOA
KOMENTE