Prishtinë, 28 dhjetor, NOA-Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar 2010-ën si vit historik në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe njohjes së tij.
Gjatë një interviste dhënë për BBC, Thaçi tha se, pavarësisht sukseseve ky vit është përballur me sfida dhe vështirësi të mëdha, por të tejkaluara më sukses.
Fillimi i punimeve të autostradës Vërmicë-Merdar, përpjekjet për njohje të reja për vendin që pas rreth 2 vjetësh pavarësi arriti shifrën 72, ishin disa nga sukseset e përmendura.
“Viti 2011 do të jetë viti për Kosovën evropiane. Viti i reformave demokratike dhe do të jetë viti i liberalizimit të vizave. Do të kemi njohje të reja dhe do të kemi konsolidim dhe forcim të shtetit”, u shpreh ai gjatë kësaj interviste.
Thaci ka përmendur edhe angazhimet për fitoren në GJND, duke njohur të drejtën ndërkombëtare të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe Sovran e përforcuar më pas edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ndër të tjera ai ka përmendur mbajtjen e Ramush Haradinajt në Hagë duke deklaruar se beson tek pafajësia e tij duke theksuar se vendimi ishte i padrejtë.
Lidhur me daljen nga koalicioni të LDK-së dhe shpalljes së Fatmir Sejdiut shkelës i Kushtetutës, Thaçi nuk u ndal gjatë duke theksuar se nuk dëshiron të përzihet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Thaçit, zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin të suksesshme, të vlerësuara edhe nga ndërkombëtarët, por sipas tij ka mbetur për t’u plotësuar edhe vakuumi i izoluar demokratik duke pasur parasysh zgjedhjet e 9 janarit në tre komuna.
Lidhur me raportin e shumëdebatueshëm të Dick Martit ai e emërtoi si një raport racist duke shtuar se do të punojë që mbi Dick Martin të fitojë drejtësia legale, por edhe drejtësia e Zotit.