Patra, 28 Dhjetor 2010 NOA – Tragjedi me përmasa të rënda në Greqi, shuhet familja shqiptare nga Vlora, vdes edhe një i ri grek nga Egjeu. Ngjarja ndodhi gjatë natës në rrugën shtetërore Patra-Korinth, raporton korrespondenti i agjencisë NOA. Policia tha se shkaktar i aksidentit ishte një i ri grek i cili duke udhëtuar me shpejtësi të lartë doli nga rruga e tij dhe u fut në krahun e kundërt duke pasuar me përplasjen e fortë që provokoi zjarr duke i marrë jetën atij dhe tre personave që ndodheshin te makina tjetër.
Çfarë ndodhi
Natën duke gdhirë dita e Martë, Haxhi dhe Shqiponja Malaj dhe vajza pesë vjeçare Lajla Malaj, me një autoveturë, shkonin në drejtim të Athinës ku jetojnë prej vitesh.
Ata kishin shkuar një javë më parë në Shqipëri me rastin e Krishtlindjes dhe të hënën kishin nisur udhëtimin me makinë për t’u kthyer në vendbanimin e tyre.
Në momentet që po përshkonin rrugën Patra-Korinth në kilometrin e 159-të, tek vendi i quajtur Pundas, u gjendën përballë tmerrit që nuk e prisnin, një makinë që ecte me shpejtësi skëterrë, e drejtuar nga një 24 vjeçar grek, devijoi nga krahu i tij dhe u fut në krahun e kundërt ku i përplasi duke sjellë pasojat fatale.
Aksidenti u shoqërua me zjarr që përfshiu nën flakë dy makinat me pasojë vdekjen e tmerrshme brenda automjeteve të fëmijës me të atin dhe gjyshen e tij si dhe të të riut grek.
Mbërritja e zjarrfikësve dhe policisë ishte një formalitet, sepse që të katërt ishin shuar nga vdekja.
n.s/NOA