Tiranë, 29 dhjetor, NOA - Në këto ditë festash të fundvitit, AMC për të tretin vit radhazi, fillon fushatën e ndërgjegjësimit “Mesazhe shprese”. E në kuadër të kësaj fushate, AMC fton abonentët e saj të dërgojnë urimet e Vitit të Ri me SMS dhe t’u japin kështu gëzim fëmijëve në nevojë.
AMC, informon se një pjesë e të ardhurave të mbledhura nga SMS-të e dërguara natën e Vitit të Ri, nga 20:00 e 31 dhjetorit deri më 8:00 të 1 janarit, do t’u dhurohen organizatave që kujdesen për fëmijët në nevojë në Shqipëri.
Gjatë viteve të shkuara fondet e kësaj fushate u janë dhuruar organizatave që trajtojnë fëmijët autistë, për ngritjen e Qendrës Kombëtare Mjekësore për Fëmijë, si dhe Departamentit të Onkologjisë në spitalin pediatrik, për pajisje mjekësore të specializuara. Duke uruar që periudha e fundvitit të sjellë festë për të gjithë, kompania celulare AMC ka vizituar shtëpitë e të moshuarve dhe jetimoret në vend për të ndarë gëzimin e festave me njerëzit në nevojë.
Madje punonjësit e AMC-së kanë takuar banorët e këtyre qendrave dhe u kanë dhënë dhurata të dobishme.
Nisma “Mesazhe shprese” bën pjesë në programin e përgjegjësisë së korporatës të AMC-së, që jep kështu shembullin e një kompanie të përgjegjshme, e cila i qëndron afër qytetarëve në nevojë.
mit/NOA