Tiranë, 29 dhjetor, NOA - Nuk do të ketë më kufizime në numër për përfituesit e Fondit të Ekselencës. Këtë premtim kryeministri Sali Berisha e artikuloi sot në ceremoninë e shpërndarjes së Fondit të Ekselencës për 42 studentë shqiptarë, të cilat janë pranuar të studiojnë në nivele të ndryshme akademike në disa prej universiteteve më të mira të botës. Pasi i ka përshëndetur fituesit e këtij Fondi, Kryeministri Berisha u shpreh se përgatitja dhe mbështetja e studentëve është një nga përparësitë më madhore të qeverisë, duke u garantuar atyre se qeveria do të bëjë çdo gjë për të mbështetur krijimin e një elite, e cila sikundër tha kryeministri, duhet të jetë në lartësinë e kohës.
“Unë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë kufizim për këtë Fond. Atë do ta përfitojnë të gjithë ata që do të arrijnë ta meritojnë në bazë të kritereve. Dhe nga ky fond nuk do të përfitojnë vetëm studentë të universiteteve të Shqipërisë apo gjimnazistë të Shqipërisë, por edhe studentë e gjimnazistë shqiptarë kudo që ndodhen, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Preshevë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Itali e kudo”, theksoi gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha. Ai i ftoi edhe të gjithë asistentët, pedagogët e studiuesit që të aplikojnë në 15 universitetet më të mira të botës, duke i siguruar ata se qeveria do t’i mbështesë plotësisht në gradimin dhe studimet e tyre kërkimore.
“Ne së bashku duhet të kemi një ambicie – Shqipëria vend i zhvilluar. Kjo është një ambicie shumë e vështirë për tu realizuar, por është absolutisht e mundshme për tu realizuar. Vendi ynë ka potenciale të jashtëzakonshme. Aq sa është i vogël në gjeografinë e tij, po aq është i madh në mundësitë e tij. Ndaj ju siguroj se qeveria do të investojë. Ministri i Arsimit dhe Shkencës njoftoi këtu se për vitin 2010 janë 42 përfitues të Fondit të Ekselencës, por unë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë kufizim për këtë fond. Atë do ta përfitojnë të gjithë ata që do të arrijnë ta meritojnë në bazë të kritereve. Dhe nga ky fond nuk do të përfitojnë vetëm studentë të universiteteve të Shqipërisë apo gjimnazistë të Shqipërisë, por edhe studentë e gjimnazistë shqiptarë kudo që ndodhen, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Preshevë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Itali e kudo”, premtoi kryeministri Berisha, duke rikujtuar se qeveria mbështet me kushtin e vetëm që pas studimeve të pranojnë t’i shërbejnë vendit të tyre.
“Ne kemi bërë një hap të madh në drejtim të arsimit të lartë duke arritur që 70 përqind e atyre që morën maturën të ulen në bankat e universiteteve. Kjo është një arritje e madhe, por është dhe vetëm një hap i parë”, tha shefi i qeverisë.
E duke i uruar të gëzojnë Vitin e Ri, kryeministri Berisha i siguroi edhe njëherë studentët se “Nuk ka asnjë fond tjetër pa kufizim në Shqipëri, ndërsa Fondin e Ekselencës do ta mbajmë të tillë. Sa të rinj dhe të reja të fitojnë, ne do t’i mbështesim”.
mit/NOA