Meksiko, 29 dhjetor, NOA - Gazetaria mbetet një profesion i rrezikshëm. Këtë vit u vranë 105 gazetarë në ushtrimin e profesionit të tyre. Zonat më të rrezikshme, sipas të dhënave të organizatës PEC janë Meksika dhe Pakistani.
Këtë vit u vranë 105 gazetarë në 33 vende, kur po ushtronin profesionin e tyre. Kjo del nga një sondazh vjetor, të cilin e prezantoi dje në Gjenevë organizata e pavarur joqeveritare Press Emblem Campaign (PEC).
Në krahasim me vitin 2009, kur e humbën jetën 122 gazetarë, shifra aktuale e viktimave që kanë humbur jetën shënon vërtet rënie, por ajo është shumë më e lartë se ajo e 91 viktimave të vitit 2008.
Në vitin që po përfundon, Meksika dhe Pakistani, me 14 raste vrasjesh të përfaqësuesve të medieve ishin vendet më të rrezikshme të botës. Në Meksikë zien një luftë e përgjakshme antidrogë dhe në Pakistan, rajonet e paqeta kufitare me Afganistanin rezultuan si kurthe vdekjeprurëse.
Rajoni më i rrezikshëm ishte Amerika Latine
Nëntë gazetarë të vrarë pati në Honduras, tetë ishin që prej fillimit të 2010 në Irak, gjashtë në Filipine, pesë në Rusi dhe katër në Kolumbi. Në Somali, Indonezi dhe në Nepal jetën e humbën në mënyrë të dhunshme në punë nga 3 gazetarë. Në përgjithësi, Amerika Latine konsiderohet këtë vit rajoni më i rrezikshëm për gazetarët; aty u vranë 35 gazetarë. Pason Azia me 33 përfaqësues të medias të vrarë para Afrikës me 14 gazetarë. Në Evropë u numëruan 12 viktima, si në Bullgari, në Qipro, në Greqi ose në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i PEC kërkon pasoja
Sekretari i përgjithshëm i PEC, Blaise Lempen, vetë gazetar, foli për një "epidemi pa mjete shëruese", të cilën shtetet nuk po arrijnë ta frenojnë. Ai e kritikoi bashkësinë ndërkombëtare, se nuk bën mjaftueshëm "për t'i nxjerrë përgjegjësit e këtyre krimeve kundër gazetarëve para gjyqit."
Në pesë vitet e fundit, sipas Press Emblem Campaign u vranë gjithsej 529 gazetarë, më shumë se një i pesti prej tyre në Irak, i cili për këtë periudhë kohore ka qenë vendi më i rrezikshëm në të gjithë botën. Midis viteve 2006 dhe 2010 zona veçanërisht të rrezikshme për gazetarët qenë Filipinet (59 të vrarë), Meksika (47 të vrarë), Pakistani (38 të vrarë), Somalia (23 të vrarë) dhe Rusia (19 të vrarë).
PEC u themelua në vitin 2004 nga gazetarë. Organizata e ka selinë e saj në Gjenevë. Synimi i saj është përmirësimi i përbotshëm i mbrojtjes juridike dhe i sigurisë së gazetarëve në zona konflikti në të gjithë botën.
DW