Prishtinë, 29 dhjetor, NOA - Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh formimin e Qeverisë teknike. Prandaj të gjitha zgjidhjet duhet të gjendet konform aktit më të lartë juridik, kështu citohet të ketë thënë në një intervistë për median kosovare Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi.
Ai beson se fundi i janarit ose fillimi i shkurtit do ta gjejë vendin me Qeveri dhe Parlament, ndërkaq, nuk parapëlqen një koalicion të gjerë, pasi ai i deritashëm, sipas tij, nuk rezultoi i suksesshëm.
Megjithatë, ai thekson se gjithçka do të varet nga procesi i rivotimit më 9 janar. Krasniqi nuk parapëlqen një koalicion të gjerë megjithëse për këtë, sipas tij do të vendosin “numrat” e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
“Zakonisht koalicionet nuk preferohen shumë të gjera, ne e kishim një koalicion mjaft të gjerë por nuk rezultoi i suksesshëm”, ka thënë Krasniqi. Sa i përket ideve për një Qeveri teknike, Krasniqi ka thënë se zgjidhjet duhet kërkuar në bazë të Kushtetutës.
“Qeveria teknike nuk është e parashikuar me Kushtetutën tonë, prandaj, gjitha zgjidhjet duhet të bëjmë përpjekje t’i gjejmë në bazë të aktit më të lartë juridik”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka folur edhe për raportin e Dick Marty’t dhe mundësinë që të publikohen emrat e atyre që bashkëpunuan në përpilimin e këtij raporti. “Unë nuk di emra, sigurisht që Dick Marty i din ata emra, është mirë që në ardhmen do të ketë mundësi që të dihen emrat, por, unë në këtë moment nuk do të manipuloja pasi është diçka, të cilën unë ende nuk e di”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka ritheksuar se qëllimi i raportit ka qenë denigrimi i luftës së popullit shqiptarë, i vlerave të këtij populli si dhe amnistimi i krimit të vërtetë që ka bërë Serbia në Kosovë.
NOA