English

Mbyllet dosja Vokshi, Berisha: Prokuroria e njëanshme, mos flini mbi dosjet e korrupsionit

Tiranë, 29 dhjetor, NOA – Pushimi nga prokuroria për mungesë provash i çështjes penale të nisur nga akuzat e deputetes demokrate, Albana Vokshi për përfitimin me 20 përqind të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama për qiellgërvishtësit që do të ndërtoheshin te Diga e Liqenit Artificial, duket plotësisht si kthimi i një përgjigjeje në distancë për thirrjen që kryeministri Sali Berisha i bëri sot organit të akuzës që të mos flerë mbi dosjet e korrupsionit që janë depozituar këtë vit në prokurori. Shefi i ekzekutivit në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2010 i bëri thirrje prokurorisë që të mos tregohet e njëanshme sikundër tha ai se po vepron, por të hetojë të 400 dosjet e dorëzuara, pasi me fjetjen mbi dosjet e korrupsionit i bën shërbimin më të keq opozitës dhe vendit.

“Duke shprehur vlerësimin më të madh e duke i bërë thirrje prokurorisë nga kjo sallë që të hetojë çdo çështje që ngrihet për secilin zyrtar të këtij vendi, nuk mund të mos shpreh qëndrimin tim, mosaprovimin tim të plotë ndaj njëanësisë së saj totale në shqyrtimin e këtij fenomeni. E falënderoj për të gjitha çështjet që ngre në drejtim të administratës, por, absolutisht, i bën shërbimin më të keq opozitës shqiptare dhe vendit duke fjetur mbi dosjet e korrupsionit saj”, theksoi kryeministri.

Në këtë kontekst kryeministri Berisha theksoi se “në mungesë të heqjes së imunitetit për shkak të mospranimit të opozitës, e cila pretendon të luftojë korrupsionin duke ruajtur e u fshehur pas imunitetit, ne duhet të sanksionojmë me një deklaratë të firmosur nga të gjithë anëtarët e mazhorancës në shembullin e Bundestagut gjerman, në të cilën ata deklarojnë se nuk njohin imunitet përsa i përket korrupsionit dhe krimit të zakonshëm”.

Berisha i kërkoi ministrit të Drejtësisë që këtë çështje ta diskutojë edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që gjyqtarët e lartë të deklarojnë se nuk njohin imunitet. Duke iu referuar shembullit të Bundestagut gjerman, zoti Berisha rikujtoi se për praktikën në fjalë gjermanët nuk kanë ndryshuar Kushtetutën, por kanë vendosur një standard në krye të çdo legjislature, të cilin edhe Gjykata e tyre Kushtetuese që është më e fuqishmja në Europë, sikundër tha Berisha, e ka lënë të vlefshëm, nuk e ka atakuar.

Në këtë mënyrë vlerësoi kryeministri parlamentarët dhe gjyqtarët, pasi prokurorët nuk e kanë më imunitetin në ligjin e ri, bëhen të përgjegjshëm para ligjit, ashtu siç e kërkon standardi i një vendi të lirë e të civilizuar.

E për këtë shembull shefi i qeverisë kishte një shënjestër të qartë, atë të kryetarit të opozitës dhe shefit të Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën.

“Mora këtë shembull se nuk duhet që ne të rrimë duar kryq, sepse Edvin Rama nuk do të votojë. Ne kemi mundësi të shumta për zgjidhje alternative me efekt të njëjtë. Ata le të rrinë me imunitet, se atë imunitet atyre ia ka garantuar prokuroria, e cila fle mbi 400 dosje të dorëzuara dhe kjo është keqardhje”, u shpreh kryeministri.

Në vijim Berisha vërejti se axhenda kryesore e qeverisë së tij janë reformat për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Ai risolli në vëmendje raportin me vlerësime e vërejtje të Komisionit Europian, të cilin kryeministri garantoi se qeveria dhe ministrat e kabinetit të tij do ta shndërrojnë në një program të vërtetë pune.

“Unë jam informuar se të gjitha ministritë po merren në mënyrën më serioze me kapitullin dhe problematikën përkatëse. Është përcaktuar një kalendar i mirëpërcaktuar për çdo institucion. Mendoj se kërkesat që parashtron raporti janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe plotësisht të mundshme për t’u realizuar”, theksoi kryeministri, i cili si shembull mori më pas një prej tyre, lehtësimin e hetimit të zyrtarëve.

Më vonë pas deklaratave të kryeministrit Berisha, në një konferencë të posaçme për shtyp, Këshilltari për Marrdhëniet me Publikun dhe Median në Prokurorinë e Përgjithshme, Plator Nesturi bëri informoi se Prokuroria kishte mbyllur hetimet për akuzat e deputetes Vokshi, me përfundimin se nuk ekzistojnë prova për nënshkrimin e kontratës me përfitim 20 përqind nga i njohur Tan Lepri që punonte sipas akuzave për llogari të Edi Ramës, për ndërtimin e qiellgërvishtësve te zona e Liqenit.

Këto akuza deputetja e PD-së, Albana Vokshi i artikuloi pas akuzave të deputetit Erion Braçe, se bashkëjetuesi i Vokshit, Arian Tartari dhe ajo vetë kishin përfituar koncesione në 6 hidrocentrale në vend, akuza që mbajtën gjallë veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë gjastë stinës së nxehtë të verës.

mit/NOA
KOMENTE