English

Pollo në Berat: 2011, zgjedhjet lokale sfida më e madhe

Berat, 29 dhjetor, NOA Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, njëkohësisht deputeti i qarkut të Beratit, Genc Pollo, i shoqëruar nga deputeti i PD-së, z. Mehmet Xheka, ka marrë pjesë në Berat në një aktivitet festiv me rastin e festave të fundvitit, i cili organizohej nga Prefekti i Qarkut të Beratit, Bujar Hoxhaj.

Në këtë aktivitet morën pjesë drejtues lokalë të partive politike, drejtues institucionesh lokale dhe të ftuar të tjerë nga shoqëria civile, biznesi dhe përfaqësues të medias.

“Ky takim i fundvitit nuk është vetëm një moment gëzimi, por edhe një moment, edhe pse i shkurtër, reflektimi mbi atë se çfarë solli ky vit, i cili ka sjellë shumë sfida, shumë përpjekje, premtime, dhe, ndoshta, dëshpërime, por në disa drejtime ka qenë një vit i veçantë. Gjatë këtij viti pati disa zhvillime të rëndësishme në perspektivë për infrastrukturën, që është jetike në Berat.

Janë zhvillime strategjike që nuk mbyllen brenda një viti. Pati edhe sfida, por që mbetën në hije, si pasojë e zhvillimeve të fundit dramatike, që ndodhën në Shkodër, por që edhe në Berat patën dimensionin e vet, por reagimi i mirë i shtabit të emergjencës dhe çdo institucioni përgjegjës bëri që të minimizohet çdo dëm”, tha Pollo.

Duke shtuar se një ndër sfidat e 2011-ës, e përbashkët për të gjithë vendin, është ajo e 8 majit.

“Pavarësisht dëshirës për të fituar, siç është normale në një garë demokratike, duhet të theksoj dhe të ritheksoj një mesazh që është i përgjithshëm për Shqipërinë, të cilin Kryeministri Berisha e konfirmon vazhdimisht: e rëndësishme është që këto votime, ashtu si edhe votimet e para dy viteve, të jenë të lira, të ndershme dhe në përputhje me ligjin”, përfundoi Pollo.

n.e/NOA

KOMENTE