English

PS, Tahiri: Sot u provua se përralla e lepurit dhe 20 % ishte shpifje e Berishës

Tiranë, 29 dhjetor, NOA – Vetëm pak minuta më parë edhe selia rozë ka përshëndetur vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme që shpalli sot rrëzimin e akuzave të deputetes demokrate Albana Vokshi për përfitimin e 20 përqindëshit për lejet e ndërtimit nga ana e kryebashkiakut Rama për kullat që do të ndërtoheshin tek diga e Liqenit Artificial, për mungesë provash. Deputeti i PS-së, Saimir tahiri në një konferencë të posaçme për shtyp deklaroi pasdite se “Sot u provua nga hetimi i gjatë i prokurorisë se akuza e stërpërmendur e 20 përqindëshit ishte një shpifje kokë e këmbë”.

Deputeti Tahiri e cilësoi kryeministrin Berisha si një shpifarak të kapur gafil nga hetimi i Prokurorisë, e cila nga ana e saj provoi sikundër deklaroi Tahiri se “përralla e lepurit dhe vjersha e 20 përqindëshit janë pjellë e frikës që është bërë lepur në barkun e Saliut”.

Duke ritheksuar se kryeministri Sali Berisha ka dështuar dhe duke e akuzuar atë se me baltosjen e opozitës nuk mund të mbulojë dot baltën në të cilën la shqiptarët, deputeti socialist i bëri apel kryeministrit t’u kërkojë ndjesë publike shqiptarëve, të cilët i ushqeu për muaj e muaj të tërë me një sajesë të turpshme.

“Sot Saliu duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve që me muaj te terë hodhi baltë mbi Edi Ramën për një sajesë të turpshme, që e bëri vetë dhe e vuri në gojën e të gjithë deputetëve të PD si një vjershë banale”, tha deputeti i PS-së Saimir Tahiri.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi në drekë se organi i akuzës në mungesë të provave ka mbyllur hetimin për akuzat e deputetes Albana Vokshi, e cila akuzonte kryebashkiakun Rama për përfitimin e 20-përqindshit për lejet e ndërtimit në kryeqytet.

Këshilltari për Median në Prokurorinë e Përgjithshme, Paltor Nesturi informoi gjithashtu se organi i akuzës ka pushuar edhe çështjen penale mbi akuzat e deputetit socialist Erjon Braçe, që denonconte deputeten demokrate Albana Vokshi për përfitime me marrëveshjet e hidrokarbureve.

Nesturi njoftoi gjithashtu se prokuroria po vazhdon hetimet për akuzat për përfitime të bashkëjetuesit të deputetes Vokshi në koncensionet e ndërtimit të gjashtë hidrocentraleve.

mit/NOA
KOMENTE