English

Raporti i Marty, Sigurimi i Ushtrisë Serbe: Nuk kemi prova mbi akuzat për tregti organesh

Beograd, 29 dhjetor, NOA / Irma Toptani – Akuzat e raportit të eurodeputetit Dick Marty për trafik organesh të robërve serbë nga ana e udhëheqësve të UÇK-së, ku akuzohet edhe kryeministri i Kosovës në largim, Hashim Thaçi, janë marrë në shqyrtim edhe nga shërbimi sekret ushtarak serb, i cili ka deklaruar së fundmi se nuk posedon ka fakte për të dëshmuar trafikimin e organeve për të cilin flet Dick Marty. Këtë deklaratë e ka bërë për mediat serbe drejtori i Agjencisë sekrete të zbulimit ushtarak serb, Svetko Kovaç.

Kovaç theksoi se ishte pikërisht mungesa e fakteve arsyeja pse akuzat për trafikim organesh të bëra prej kohësh ndaj UÇK-së nuk kanë mundur të hetohen nga drejtësia ndërkombëtare.

Kryetari i sigurimit serb, deklaroi se edhe pse janë bërë përjkeje të shumta për mbledhje provash, nuk janë siguruar dot prova për të dëshmuar tregtinë e organeve. Drejtori i agjencisë sekrete ushtarake serbe deklaroi gjithashtu se VBA-ja nuk ka dosje klasike për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Eurodeputeti Dick Marty në raportin e tij të miratuar dy javë më parë në Asamblenë e KiE-s në Paris, akuzon udhëheqësit e UÇK-së bashkë me ta edhe kryeministrin Thaçi se në përfundim të luftës në Kosovë në vitin 1999 kanë kryer trafik organesh, të ish-të burgosurve serbë, që sipas Martyt mbaheshin të fshehur në Shqipëri, ndërkohë që transplantet kryeheshin në të ashtuquajturën “Shtëpi e verdhë” në Iballë të Burrelit.

Këto akuza njiheshin edhe kohë më parë, kur qarqe serbe akuzonin ushtarët shqiptarë se kanë rrëmbyer serbë gjatë luftës me qëllim për t’u shitur organet, akuza për të cilat serbët kërkuan nisjen e hetimeve, të cilat u ndalën për mungesë faktesh.

Raporti i Dick Martyt më së shumti i jep jetë thënieve të ish-kryeprokurores së Hagës Karla Del Ponte, e cila në librin e saj “Gjuetia” pretendon se në veri të Shqipërisë është kryer trafik organesh të ushtarëve serbë.

Akuzat janë hedhur poshtë nga krerët e Kosovës, të cilët i kanë cilësuar ato si fyerje ndaj dinjitetit të UÇK-së dhe luftës së saj për lirinë e pavarësinë e Kosovës, por edhe të dinjitetit të popullit të Kosovës.

Më tej, udhëheqësit e Kosovës, i kanë cilësuar akuzat si referencë e propagandës serbomadhe, ndaj pavarësisë së Kosovës.

KOMENTE