Shkodër, 29 dhjetor, NOA – Një tren me 16 vagonë që vinte nga Serbia me destinacion firmën turke Kurum, është ndaluar sot nga policia kufitare e Migracionit në Bajzë të Malësisë së Madhe pasi në njërin prej vagonëve të tij bashkë me skrapin ishin ngarkuar edhe predha artilerie të rëndë, djegore të montuara në predha. Sipas policisë ajo ishte informuar se në stacionin e Bajzës do të vinte një tren nga Mali i Zi me 16 vagonë mall, dhe tre prej vagonëve do të ishin të ngarkuar me skrap.
Policia sqaron se nga kontrolli fizik i ushtruar nga efektivët e kufirit të Bajzës u konstatua se në njërin prej vagonëve të ngarkuar me skrap kishte municione luftarake, predha artilerie, djegore të montuara në predha, të cilat sikundër mësohet ishin të shpërndara në mënyrë të çrregullt bashkë me pjesën tjetër të skrapit.
Policia bën të ditur se treni i linjës Tuz nga Mali i Zi që udhëtonte drejt Bajzës në Malësinë e Madhe hyri në këtë stacion kufitar i drejtuar nga pesë shtetas të huaj.
Policia nga hetimet paraprake doli në përfundimin se vagoni në fjalë vinte nga Serbia dhe i përkiste firmës “NOVO METAL”.
Ndërkohë që mësohet se malli i ngarkuar bashkë me skrapin kishte për destinacion kompaninë turke “Kurum” në Elbasan.
Policia e ka ndaluar ngarkesën në kufi, dhe dokumentet hetimore ia ka nisur për shqyrtim prokurorisë së Shkodrës.
Shtetasit e huaj që drejtonin trenin janë ndaluar dhe mbi ta rëndon vepra penale e trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake.
mit/NOA