Tiranë, 29 dhjetor, NOA - Këshilli i Ministrave miratoi sot kriteret dhe procedurat për mënyrën e kryerjes së rimbursimit të pagesës së bërë nga subjektet tatimpagues të biznesit të vogël për blerjen e pajisjeve fiskale.
Të drejtën për rimbursim e kanë subjektet që kanë bërë pagesën e blerjes së pajisjes së parë fiskale deri në datën 28 shkurt 2011. Rimbursim do të bëhet edhe për blerjen e taksimetrit.
Rimbusrimi i biznesit të vogël për pagesën e pajisjeve fiskale do të bëhet me mospagesën e taksave vendore. Në vendimin e qeverisë thuhet se do t'u rimbursohet çdo formë financimi komunave e bashkive që vijnë nga rimbursimi i biznesit të vogël për pagesën e pajisjeve fiskale.
Konkretisht, vendimi “Për kriteret dhe procedurat e kryerjes së rimbursimit nga taksa e biznesit të vogël të pagesës për pajisjet fiskale dhe taksimetrat” përcakton se të drejtën për përfitim e rimbursimit e kanë subjektet që kanë bërë pagesën e blerjes së pajisjes së parë fiskale deri në datën 28.02.2011 nga “Shoqëritë e Autorizuara”, sipas kontratës përkatëse. Ky rimbursim mund të fillojë që në këstin e parë, pra, në datën 25 janar.
Vendimi përcakton gjithashtu dokumentacionin që tatimpaguesi duhet të dorëzojë pranë zyrës të taksave të bashkisë apo të komunës, ku është i regjistruar, brenda datës datës 31 Mars 2011.
Po ashtu, vendimi përcakton rimbursimin edhe për taksimetrat, bizneseve të vogla, që operojnë në fushën e transportit dhe që, sipas ligjit për taksat vendore, kanë detyrimin për t’u pajisur me taksimetër. Dokumentacioni dhe procedura e këtij rimbursimi është e njëjtë si në rastin e rimbursimit për pajisjet fiskale.
“Me qëllim koordinimin sa më të mirë të punës ndërmjet drejtorive rajonale të taksave dhe zyrave të taksave të bashkive dhe komunave, është vendosur detyrimi për rakordim të këtyre institucioneve brenda 30 ditëve nga afati i pagesës së këstit pasardhës të taksës së biznesit të vogël”, thuhet në vendimin e qeverisë.
a.k/NOA