English

Berisha koktej për ministrat: Viti që lamë pas është viti i Vizave

Tiranë, 30 dhjetor, NOA – “Viti që lamë pas me shumë të drejtë mund të konsiderohet viti i vizave, i lëvizjes së lirë se kjo është e vërteta. Arritjet e këtij viti bëjnë të mundur që ne, me ambicie reale e të mëdha, të shohim drejt vitit që vjen, për ta bërë atë një vit edhe më të suksesshëm, një vit thellësisht më transformues për Shqipërinë e shqiptarët, sesa viti që po lëmë mbrapa”... Me këto fjalë u është drejtuar kryeministri Sali Berisha anëtarëve të kabinetit qeveritar gjatë pritjes koktej të shtruar për ta në kuadër të festave të të fundvitit.

Duke i falenderuar bashkëpunëtorët e tij të ngushtë të qeverisë për mbështetjen dhe punën e tyre në realizimin e reformave të mëdha gjatë 365 ditëve të 2010-ës, shefi i qeverisë theksoi para ministrave se “Ky vit është vit i arritjeve më të mëdha historike të shqiptarëve, për liritë dhe të drejtat e tyre pas rënies së murit të Berlinit në Tiranë, viti i Shqipërisë pa viza. Të gjitha ministritë dhe agjencitë e tyre me përkushtim të madh e reforma shndërruan në realitet premtimin tonë më të madh elektoral, por edhe ëndrrën më fisnike dhe më të hershme të qytetarëve shqiptarë. Kjo është në meritën e madhe të secilit prej jush e të administratës shtetërore në tërësi”, u shprehu mirënjohjen kryeministri Berisha.

Kryeministri renditi ndërkaq edhe zhvillime të tjera historike për shqiptarët, ndër të cilat ai theksoi arritjen e ekonomisë shqiptare, e cila mbërriti sikundër tha kryeministri të ketë rritjen më të madhe në Europë.

“Dhe kjo është absolutisht, para së gjithash e mbi të gjitha, i parimeve të drejta që janë të vendosura në themelet e tregut e të ekonomisë në këtë vend, të reformave të thella strukturore, të cilat kanë krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme të lirisë që kjo ekonomi t’i rezistojë mrekullisht krizës më të madhe që Europa e bota ka njohur që nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar gjer më sot”, tha kryeministri.

Në këtë kontekst Berisha përmendi një arritje të shënuar për qeverinë e integrimit, rritjen e rrogave dhe pensioneve, pasi siç tha ai, është mjaft i rëndësishëm investimi në burimet njerëzore.

Ai nënvizoi se leva e Arkimedit në shoqërinë tonë mbeten burimet njerëzore, andaj u shpreh kryeministri “ne mbyllim vitin si vendi që bëmë rritjen më të madhe të pensioneve në të gjithë kontinentin”.

“Ne e mbyllim vitin në rrafshin ekonomik, tha shefi i ekzekutivit, me një defiçit të rrallë buxhetor, ekzotik madje për kontinentin europian, defiçit që shënon gjithsej 3.1 përqind.

“Ne e mbyllim vitin me një ekonomi vibrante, e cila shënon një rritje prej mbi 50 përqind të eksporteve. E mbyllim vitin me një ekonomi, e cila ka fituar besim të madh në Europë e në botë. Fakti që eurobondi i qeverisë shqiptare u ble me çmime më të leverdishme, sesa të vendeve të rajonit dhe vendeve të zonës euro tregon për shkallë besimi që Shqipëria se ka pasur kurrë dhe për një shkallë besimi ndër më të lartët në ekonominë e stabilitetin ekonomin e politik të vendit”, argumentoi kryeministri.

Gjithashtu ai vlerësoi edhe zhvillimet e shkëlqyera sa i përket turizmit, ku sipas tij, “Viti mbyllet pasi në Europë e në botë ka qarkulluar me dhjetëra e qindra herë lajmi më pozitiv për qytetarët e Europës e të botës, Shqipëria destinacion kryesor turistik. Nuk ka lajm më të mirë e më pozitiv, sesa ky lajm. Dje, gjatë gjithë ditës, një ndër rrjetet më kryesore mediatike të botës ka përsëritur me dhjetëra herë krahas Nju Jorkut, Barcelonës, Zelandës së Re, Shqipërinë si një nga destinacionet turistike më të preferuara për vitin që vjen. Po të mendojmë se vetëm 6 vjet më parë ne nuk ekzistonim në hartën turistike të botës dhe sot ngjitemi në majat e preferencës, kjo përbën në jetën tonë një nga gëzimet më të mëdha, një nga arritjet më të mëdha”, tha kryeministri Berisha.

Shefi i qeverisë siguroi se kabineti i tij ka ndjekur me vendosmëri axhendën e vet, andaj ky është argumenti i duhur se përse Shqipëria e këtij viti është absolutisht thellësisht e ndryshuar me Shqipërinë e vitit 2009.

“Janë me qindra e qindra fshatra e komuna që kanë sot një infrastrukturë tërësisht moderne. Është në kilometrat e fundit kompletimi total i infrastrukturës së zonës së bregdetit. Po ecet drejt zonave malore”, tha zoti Berisha kur foli për investimet e shumta në infrastrukturë.

Ai përmendi më pas edhe projektin e Shqipërisë në moshën dixhitale, duke bërë të ditur se Ne duhet të krenohemi me shpejtësinë me të cilën jemi ngjitur në moshën dixhitale, pasi 5 vjet më parë, ne ishim në fundin e pusit. Ne kishim një nivel përdorimi të internetit 4.8 përqind, ndër më të ulëtit në planet, sot mbi 50 përqind. Asnjë vend e asnjë komb nuk ka shënuar një rritje të tillë marramendëse, në një kohë kaq të shkurtër dhe është po kaq e rëndësishme se sot janë hedhur të gjitha bazat që në 2-3 vitet që vijnë të ngjitemi në çatinë e botës për moshën dixhitale, do të jemi një nga vendet me shkallën më të lartë të internetit”, siguroi kryeministri.

Duke folur për arritjet në arsim, Berisha tha se “duhet të jemi krenarë se mbi 91 përqind e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të kanë hyrë në shkollat e mesme dhe mbi 70 përqind e maturantëve janë ulur në bankat e universiteteve”.

“Një vit dhe një qeverisje kurrë nuk është e përsosur, ka gjithnjë nevojë për përmirësim dhe për konsolidim, por arritjet e këtij viti bëjnë të mundur që ne, me ambicie reale e të mëdha, të shohim drejt vitit që vjen, për ta bërë atë një vit edhe më të suksesshëm, një vit thellësisht më transformues për Shqipërinë e shqiptarët, sesa viti që po lëmë mbrapa”, u shpreh shefi i ekzekutivit.

Në fund ai u kushtoi edhe një urim të veçantë anëtarëve të kabinetit qeveritar duke u shprehur: “Një falënderimin shumë të veçantë bashkëshorteve dhe bashkëshortët tuaj, të cilët kanë ndarë me ju të gjithë problematikën, sakrificën e përkushtimin tuaj të madh në reformat, promotor i ndryshimeve të mëdha të këtij vendi”.

Më herët Kryeministri Berisha organizoi një pritje koktej edhe me punonjësit e kryeministrisë, të cilët i falenderoi për përkushtimin dhe punën e tyre në mbështetje dhe realizim të reformave që transformuan vendin gjatë një viti.

mit/NOA
KOMENTE