English

Ekstradohet nga Italia, Artur Vigani, vrau një shqiptar në Padova

Tiranë, 30 dhjetor, NOA - Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës ka ekstraduar sot në orën 17:30 nga Milano 36 vjeçarin nga Shkodra Artur Gjon Vigani, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e një shqiptari dhe plagosjen e një tjetri gjatë një sherri mes dy grupesh shqiptare në një lokal në Padova të Italisë, në vitin 2003, vetëm për mosmbylljen e lokalit. Policia e Shtetit bëri të ditur se Gjykata e Shkodrës në 13.07.2009, vendosi deklarimin fajtor të shtetasit Artur Vigani (Prekndreaj) për kryerjen e veprave penale të vrasjes në rrethana cilësuese dhe të armëmbajtjes pa leje, duke e dënuar atë me 25 vjet burg.

Ngjarja për të cilën ky shtetas është deklaruar fajtor ka ndodhur me datën 02.02.2003, në orët e para të mëngjesit, në qytetin e Padovës në Itali, në një kompleks lodrash, ku shtetasi Artur Vigani (Prekndreaj) ka vrarë me armë zjarri shtetasin shqiptar Ilir Gorgeja dhe ka plagosur po me armë zjarri shtetasin tjetër shqiptar Arben U.

Sipas autoriteteve italiane të cilat hetuan mbi ngjarjen vrasja kishte ndodhur për motive të dobëta, në sallën e një lokali ku dy grupe shqiptarësh, në gjendje të dehur u grindën për mosmbylljen e lokalit në orarin e caktuar.

Sipas informacioneve më pas i ekstraduari Artur Vigani (Prekndreaj), i cili ka qënë prezent në lokal, ka qëlluar me armë ndaj shtetasit Ilir Gorgeja dhe më pas ndaj shtetasit Arben U., i cili kishte ndërhyrë për të shuar sherrin.

Pas ngjarjes Artur Vigani u largua dhe më pas u hetua në mungesë nga Prokuroria e rrethit gjyqësor të Shkodrës, bazuar në kallëzimin e bërë ndaj tij me datë 17.08.2006 pranë këtij institucioni.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën më datën 06.08.2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë të Artur Viganit (Prekndreaj).

I ekstraduari mbërriti sot në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ku iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

mit/NOA
KOMENTE