English

Fier, pasi përplas dhe plagos dy kalimtarë, makina largohet me shpejtësi

Fier, 30 dhjetor, NOA – Në këto ditë të festave të fundvitit kur rrugët shqiptare janë tejet të ngarkuara nga trafiku i makinave edhe për shkak të kthimit të emigrantëve në atdhe, një bilanc në rritje është ai i aksidenteve rrugore. Një tjetër aksident, por këtë herë pa të vdekur ndodhi këtë pasdite në aksin rrugor që lidh Fierin me Roskovecin.

Korrespondenti i agjencisë NOA raportoi se një makinë përplasi dy kalimtarë të rastit duke lënë të plagosur një katërvjeçar dhe xhaxhain e tij 53 vjeçar Fadil Reçi.

Përplasja e makinës me kalimtarët ndodhi në fshatin Zharrëz, kur dy të plagosurit po kalonin rrugën për në anën tjetër.

Fakt është që makina pas përplasjes është larguar me shpejtësi nga vendngjarja duke mos u dhënë as ndihmën e parë dy personave që i përplasi si rezultat i shpejtësisë dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit.

Nipi katërvjeçar, të cilit policia nuk ia bën të ditur emrin është në gjendje të rëndë shëndetsore në spitalin e Fierit, pasi përplasja i ka shkaktuar plagë të rënda.

Ndërsa xhaxhai i tij, Fadil Reçi ka marrë plagë të lehta.

Policia informoi se ka nisur hetimet për identifikimin e makinës që përplasi dy kalimtarët dhe të drejtuesit të automjetit, i cili përtej përplasjes, po hetohet edhe për fshehje ndaj veprës së tij duke u larguar me papërgjegjshmëri nga vendi i aksidentit.

mit/NOA
KOMENTE