Viti që po ikën mblodhi së bashku një “lumë” diplomatësh nga më të njohurit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Për të dhënë mesazhe të qarta ndaj politikës shqiptare: Duhet të lihen mënjanë egot politike dhe të mendohet realisht për popullin. E thënë më shkoqur, diplomatët e huaj kanë kërkuar nga ata që bëjnë politikën e Shqipërisë, që të mos kalkulojnë kaq shumë dhe kaq gjatë, shkaqet dhe pasojat e atyre që bëjnë mes vedi, por t’i japin një dorë edhe të ardhmes së popullit, drejt aspiratave për integrim, tejet të njohura për këdo
Nga Edison Kurani
Jemi në orët e fundit të vitit 2010. Një vit i cili për ne, njerëzit e medias, ishte tejet intensiv. Plot ngjarje dhe zhvillime të papritura. Aq sa në punën tonë, shpesh shumë gjëra kanë shkuar dëm, mjaft të kujtojmë sa e sa lajme dhe prodhime të tjera të stafit, si në çdo gazetë, kanë përfunduar në mos në “kosh”, në raportime të shkurtra. E gjitha kjo, për shkak të surprizave të shpeshta që ofroi politika dhe aktorët e tjerë të jetës në vend. Nga ana tjetër, këtë vit që lamë pas, u përballëm dhe me tejzgjatje, pse jo të lodhshme, të ngjarjeve shpesh të padobishme jo vetëm për shqiptarët në tërësi, por edhe për organizatorët dhe protagonistët e tyre.
Megjithatë, duke e konsideruar pjesë të punës sonë të përditshme, që ndalet vetëm në këto pak ditë të ndërrimit të viteve, kemi arritur, ashtu sikundër do të vazhdojmë ta bëjmë, të sjellim para lexuesve, në kohë dhe me saktësi, gjithçka ka ndodhur në Shqipëri. E kemi bërë këtë, duke mos ngurruar të presim edhe pak orë para agimit, të rejat më të fundit, në ngjarje të vrullshme politike, siç ka qenë greva e urisë së opozitës. Apo dhe evenimente të paharrueshme sociale, duke raportuar pak minuta para dërgimit për prodhim dhe pak orë para daljes në pikat e shitjes, çastet emocionuese të daljes së parë pa viza të shqiptarëve.
***
Viti që po ikën mblodhi së bashku një “lumë” diplomatësh nga më të njohurit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Për të dhënë mesazhe të qarta ndaj politikës shqiptare: Duhet të lihen mënjanë egot politike dhe të mendohet realisht për popullin. E thënë më shkoqur, diplomatët e huaj kanë kërkuar nga ata që bëjnë politikën e Shqipërisë, që të mos kalkulojnë kaq shumë dhe kaq gjatë, shkaqet dhe pasojat e atyre që bëjnë mes vedi, por t’i japin një dorë edhe të ardhmes së popullit, drejt aspiratave për integrim, tejet të njohura për këdo.
***
Sigurisht që këtë vit kemi pasur seri ngjarjesh të hidhura, që pothuajse nisin dhe përfundojnë aty, tek aksidentet. Që sivjet morën jetë njerëzish, duke mos kursyer as fëmijë, gra e të moshuar. Ata panë fundin e tmerrshëm, krejt të pafajshëm.
Sadoqë policia bën të vetën duke kryer procedurat rutinë të hetimit, një gjë është e sigurt. Faji nuk është gjetur. Shteti, me të vetën duke u mbrojtur se infrastruktura rrugore nuk ka qenë shkak parësor dhe drejtuesit e mjeteve të tragjedive me të tyren, duke këmbëngulur se ishin të pafuqishëm për t’i shmangur. Një gjë dihet ama, e sigurt: As rrugët nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë dhe as shoferët nuk janë të kulluar siç hiqen, duke mos kursyer shpesh shkeljet në qarkullim.
Ndalja ime pak më gjatë në këtë argument, e ka një arsye: Duam që mot, të tilla tragjedi të ndodhin më pak. Si dhe sa do të jetë e mundur, i përket shtetit ta bëjë, duke u treguar realisht efektiv në shmangien e tyre.
E veç kësaj, mot duam që “babagjyshi i Vitit të Ri”, që i madh e i vogël e di fort mirë se është shteti dhe aktorët politikë brenda e përreth tij, të na sjellë më pak sherre mes partish. Dhe më pak akuza e kundërakuza. Shkurt, më pak jetë të egër politike.
Pse jo, do të donim të na sjellë më shumë tryeza të rrumbullakëta, por jo duke hyrë formalisht apo ca më keq, duke dalë cubshe prej tyre, por duke shtrënguar duart pas firmosjes së çdo marrëveshjeje të mundshme, që do t’i jepte dobi përmirësimit të jetës në vend. Sepse është e provuar në këto dy dekada sistem demokratik, se çdo marrëveshje e bërë dhe e zbatuar, direkt apo indirekt ka sjellë dobi për shqiptarët dhe sistemin ku jetojmë.
***
Ndërsa përmendim dy dekadat e demokracisë, s’mundemi kurrsesi të lëmë mënjanë po aq kohë të gazetës së parë të përditshme të cilën ju edhe sot e për shumë vjet e gjeni çdo mëngjes në pikën më të afërt pranë shtëpisë apo zyrës suaj.
“Koha Jonë” lindi dhe u rrit me pluralizmin dhe padyshim që të dyja kanë përfituar nga njëra-tjetra. Kjo e përditshme, ka zbatuar më së miri një ndër parimet themeltare, atë të së drejtës për informim, duke u ofruar shqiptarëve dhe botës, të rejat për atë çka ndodhte çdo ditë në Shqipëri.
Duke nisur që nga themelimi më 1991 e deri tani që po i afrohemi vitit 2011, kjo e përditshme ka qenë vazhdimisht, shkollë për gazetarët. Sepse siç shprehen shumë prej atyre që kanë punuar me “Koha Jonë”, sot të shpërndarë në drejtimin e mediave apo institucioneve të rëndësishme, “Koha...” ishte dhe mbetet një shkollë e mirëfilltë gazetarie. Sidomos në ato vite kur shtypi ishte i pakët dhe uria për informim, e pandalshme.
Natyrisht, konkurrenca edhe në tregun mediatik ka sjellë ndryshime. Të cilat jo gjithmonë janë të ndershme, e jo gjithmonë profesionale. Por duke mos cekur shumë këto aspekte, një gjë e kemi bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë në mënyrë profesionale: Të raportojmë lajmet ashtu siç ndodhin. Edhe pse në mënyrë sipërfaqësore, por ndonjëherë tendencioze, ndokush mund ta quajë pozicionim politik. Gjithkush është i qartë se nuk mund të quhet i tillë, nëse evidenton arritjet e një pale dhe mangësitë e një tjetre. Ne e kemi bërë këtë. Duke mos qenë bujarë apo koprracë as me njërën e as me tjetrën palë. Po ashtu, duke mos kursyer as mazhorancën e as opozitën, për nxjerrjen në pah të vlerave të çdo lëvizjeje të tyre, sidoqofshin ato, me impakt pozitiv apo negativ.
Viti 2011 shënon një jubile për “Koha Jonë” dhe ne do të jemi këtu për t’ju shpënë gjithmonë, sa më afër lajmit. Me urimin për një vit të mbarë për të gjithë shqiptarët, kudo jetojnë, shpresojmë shumë, se 2011-a do të sjellë lajme gjithnjë e më të mira. Sepse ne shqiptarët, jemi të etur për to.
Marrë nga “Koha Jonë” - Titulli origjinal: Viti që lamë pas, ai që vjen dhe 2 dekada “Koha Jonë”