English

Konfindustria: Biznesi, të pajiset i gjithi me kasa fiskale që të jetë formal

Tiranë, 30 dhjetor, NOA - Konfindustria, duke patur parasysh afatin e fundit të 31 dhjetorit 2010, për pajisjen me kasa fiskale të gjithë bizneseve në hapësirën gjeografike të vendit përfshi edhe të ashtuquajturin “biznes i vogël”, kërkon nga ekzekutivi shqiptar, që të zbatojë me çdo kusht dhe pa ngurrim detyrimin ligjor të mësipërm si një nga kushtet e domosdoshme për formalizimin e ekonomisë në tërësi.

Njëkohësisht, Konfindustria fton gjithë vendim-marrjen politike të vendit pa dallim ngjyrash partiake të mbështesë pajisjen e plotë me kasa fiskale të bizneseve si kusht strategjik për formalizimin e ekonomisë kombëtare.

“Çdo shtyrje e mëtejshme në kohë e pajisjes me kasa fiskale është me pasoja të pallogaritshme të dëmshme për biznesin e ndershëm, konkurueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë kombëtare në tërësi si dhe goditje e pastër në afatgjatë në fuqinë e zbatimit të ligjit”, citon deklarata e saj.

Duke shtuar se Shqipëria nuk mund të veprojë ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Konfindustria vlerëson, se pikërisht në hallkën e ndërprerë të pikës se lidhjes ligjore të tregtisë me pakicë/biznes i vogël me konsumatorët fundore/qytetarët, ndodhin të gjitha rrjedhjet e shmangies financiare si edhe lindin trysnitë nga poshtë-sipër për prodhimin e shmangies fiskale në të gjithë procesin tregtar në Shqipëri. Vlerësohet se shmangia fiskale në Shqipëri, ende e kalon masën e papranueshme prej mbi 50% të PBB dhe ka pasoja shkatërruese sidomos për industritë prodhuese të rregullta të vendit, shkatërrimin e konkurrencës me pasoja të drejtpërdrejta në rrënimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë në përgjithësi.

n.e/NOA

KOMENTE