Tiranë, 30 dhjetor, NOA – Pas liberalizimit të vizave nga BE, fundi i këtij viti shënoi edhe zyrtarizimin e heqjes së vizave për Shqipërinë nga Kroacia. Ministria e Punëve të Jashtme informoi se nga 1 janari i 2011-ës, shqiptarët do të lëvizin pa viza drejt Kroacisë, vendit të ëndërruar për pushime gjatë verës së nxehtë prej mijëra shqiptarëve.
Dikasteri i Punëve të Jashtme bëri me dije se vendimi për heqjen e vizave u mor pas nënshkrimit të një marrëveshje dypalëshe mes dy vendeve.
Kroacia i shtohet kështu vendeve të zonës Shengen, ku shqiptarët prej 15 dhjetorit lëvizin të lirë.
Kroacia me plazhet e saj të panumërta është një nga destinacionet më të preferuara për turistët europianë, por edhe ata nga e gjithë bota.
Kufizimi për shumë shqiptarë për të pushuar atje gjatë verës, ishte pa dyshim muri i vizave, muri i cili do të rrëzohet përfundimisht në 1 janar të vitit 2011, duke i bërë kështu plazhet e kroacisë të arritshme për çdo shqiptar që preferon shtegtimet gjatë verës.
mit/NOA