Shkodër, 30 dhjetor, NOA - Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha festuan së bashku me fëmijët e zonave të përmbytura, në Shkodër, festat e fundvitit.
Në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë prindër e mësues, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, kryeministri Berisha u shpreh i lumtur që ndodhej mes fëmijëve, për të ndarë së bashku me ta, emocionin e festave.
Kryeministri iu uroi fëmijëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, një vit të mbarë, të bardhë dhe të gëzuar, ashtu siç ata e meritojnë.
Duke shprehur nderimin më të thellë, për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe të zonave të përmbytura, ai tha se në këtë katastrofë të rëndë natyrore, spikati dhe shkëlqeu madhërishëm shpirti i qytetarit shkodran, i banorëve të komunave të përmbytura, guximi, trimëria dhe mençuria e tyre.
Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që dëmet e shkaktuara nga përmbytja të rikuperohen sa më shpejt dhe se viti i ri do të jetë një vit i projekteve të mëdha dhe të rëndësishme, për shkollat dhe kopshtet e fëmijëve, si dhe për Shkodrën e mbarë Shqipërinë.
Më, pas, në një atmosferë festive, Kryeministri dhe zonja Berisha shpërndanë dhuratat e përgatitura për fëmijët.
“Ju uroj të gjithë fëmijëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, një vit të mbarë, një vit siç e meritojnë ata me ëndrrat me shpirtin, me zemrën e tyre, por unë dua të shpreh gjithashtu nderimin tim më të thellë për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe të zonave të tjera të përmbytura”, ka qenë urimi i veçantë i Berishës për fëmijët.
n.e/NOA