Prishtinë, 30 dhjetor, NOA – Shefi i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi i cilëson akuzat ndaj tij për trafikim organesh si një rrezik për bisedimet e ardhshme teknike mes Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri i Kosovës në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP, deklaroi se raporti i publikuar nga Dick Marty është sulm i menduar nga vetë raportuesi për të minuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të nisë në fillim të vitit 2011.
Por, pasi i ka kundërshtuar me forcë akuzat që e përfshijnë atë dhe udhëheqësit e UÇK-së në trafikun e organeve të ish-robërve serbë në përfundim të konfliktit në Kosovë, kryeministri i Kosovës garantoi se është i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë Boris Tadiç si dy liderët më legjitimë të Kosovës dhe Serbisë.
Më herët kryeministri në largim, Hashim Thaçi në një tjetër intervistë i kishte cilësuar akuzat e Dick Martyt raciste, dhe të ngjashme me propagandën naziste dhe antiçifute të bashkëpunëtorit të Hitlerit, Jozef Gebelsit.
Thaçi e akuzoi eurodeputetin Marty se raporti që ai ka përpiluar nuk ka prova, duke dëshmuar qartë se është një hakmarrje politike ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen zviceriane TagesAnzeiger, kryeministri i Kosovës theksoi se “Raporti i Dick Martyt është tërësisht i fabrikuar dhe është ndërtuar mbi thashetheme”.
mit/NOA