English

Ruçi: Djegia e fletëve, skemë e Berishës, do të vazhdojmë protestat

Tiranë, 30 dhjetor, NOA – Partia Socialiste nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj për transparencën dhe votën e lirë. Kryetari i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi tha sot në një bashkëbisedim me gazetarët, se pavarësisht vendimit për djegien e fletëve të votimit dhe mosarritjen e konsensusit, protestat do të vazhdojnë.

“Ne do të vijojmë të jemi në protesta për votën e lirë dhe transparencën e zgjedhjeve, për luftën ndaj korrupsionit të kësaj mazhorance dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë dhe të luftës ndaj krizës ekonomike. Ne do të jemi në protestë dhe do të denoncojmë këtë mashtrim dhe shpifje që vazhdon të bëjë mazhoranca aktuale” tha Ruçi.

Gjatë takimit me gazetarët, Ruçi u ndal edhe në vendimin e KQZ-së, duke e cilësuar atë si një skemë të ideuar nga kreu i qeverisë.

“Vendimi për djegien e fletëve të votimit nuk ishte i papritur por një skemë e ideuar nga dirigjenti Berisha dhe dje Ristani, shërbyesi i verbër, në kundërshtim me ligjin bëri realitet implementimin e regjisë”, - tha kreu i grupit të PS.

Ai u shpreh më tej se transparenca e zgjedhjeve mund të bëhet edhe me materialet zgjedhore.

“E vërteta qëndron tek materialet zgjedhore dhe e vërteta nuk mund të digjet dhe nuk mund të varroset dot edhe pse Ristani na ftoi të marrim pjesë në funeralin e djegies së fletëve të votimit” tha ai.

Kreu i grupit socialist ka hedhur dyshime dhe për zhvillimin normal të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Sipas tij, kryeministri Sali Berisha, po përgatit grabitjen e zgjedhjeve të radhës.

“Berisha nuk zbatoi rekomandimet e KE-së. Berisha po planifikon që zgjedhjet e ardhshme t’i grabisë si ato të 2009-ës”, tha Ruçi.

a.k./NOA

KOMENTE