English

Thaçi: Raporti i Martit është racist, do të përdorim të gjitha format juridike për ta rrëzuar

Prishtinë, 30 dhjetor, NOA - Kryeministri në detyrë i Kosovës Hashim Thaçi vlerëson se mënyra se si janë bërë akuzat ndaj tij në raportin e Dick Martit i kujton atij propagandën naziste të Xhozef Gobelsit.

Në një intervistë për të përditshmen zviceriane “TagesAnzeiger”, Thaçi ka akuzuar raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty, se po punon kundër lirisë së Kosovës dhe se ka përdorur ”nuanca raciste” në raportin e tij.

“As nuk ka fakte e as nuk ka prova”, ka thënë shefi i qeverisë në detyrë, duke shtuar se raporti është një akt i “hakmarrjes politike”.

“Raporti i Martit përfshin shumë fabrikime dhe është i mbështetur nga thashethemet. Mënyra se si e ka shkruar Marti këtë raport më kujton propagandën e Xhozef Gobelsit. Nuancat e këtyre pamfleteve janë raciste“, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se Marty ka bërë “shpifje për të tërë popullin shqiptar" dhe shtoi se "ai është munduar të kriminalizojë luftën tonë për liri kundër politikave shtypëse të Serbisë“.

"Marti është armik i lirisë sonë dhe e ka vënë veten në shërbim të nacionalizmit serb“, ka thënë Thaçi.

Në intervistën për gazetën zvicerane, Thaçi ka thënë se do të përdorë të gjitha format juridike dhe politike për të luftuar kundër raportit dhe ka deklaruar se ai nuk është i përfshirë "në asnjë aktivitet kriminal“.

NOA

KOMENTE