English

Trafiku në Tiranë bllokon makina e njerëz, kaos një ditë para ndërrimit të viteve

Tiranë, 30 dhjetor, NOA/ Ariola Ymeraj - Prej gati një jave rrugët e Tiranës janë rënduar së tepërmi, kjo edhe si pasojë e kthimit të emigrantëve në vendlindje.

Rruga e Unazës, Tirana e Re, kryqëzimi i 21 dhjetorit, stacioni i trenit, dogana e disa akse të tjera rrugore ditën e sotme kanë shënuar pikun e trafikut.

E nëse më parë një qytetari i duhej rreth 30 minuta për të shkuar në punë apo kudo tjetër tashmë kjo kohë është dyfishuar në mos trefishuar.

Kjo ngarkesë duket se vjen edhe prej faktit se qytetarët kanë marrë pushimet me rastin e festave dhe janë më të lirë për të lëvizur dhe për të kryer blerjet e tyre për mbrëmjen e ndërrimit të viteve.

Por pavarësisht kësaj, qytetarët duhet të marrin masa, të llogarisin kohën, në mënyrë që ky trafik mos ti pengojë në punët e tyre.

Megjithë punën e vazhdueshme të Policisë Rrugore duket se kjo situatë kështu do të paraqitet edhe ditën e nesërme.

a.y/NOA
KOMENTE