Prishtinë, 31 dhjetor, NOA – “Viti 2010 ka qenë një vit i rëndë për qytetarët e Kosovës. Të gjitha problemet kapitale të vitit 2009 janë bartur edhe në vitin 2010 dhe madje janë intensifikuar. Varfëria e papunësia janë rritur, shteti i Kosovës as këtë vit nuk i kontrolloi kufijtë e vet, strukturat e Serbisë u toleruan nga pushteti edhe në vitin 2010, ndërkaq qyteti i Mitrovicës mbeti i ndarë”. Kështu e vlerësoi vitin që po lëmë pas, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë takimit të fundvitit me gazetarët në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë.
Në vijim të fjalës së tij kreu i Vetëvendosjes theksoi se “gjatë këtyre pesë vjet e gjysmë, në vjeshtën dhe dimrin e këtij viti kemi pasur anëtarësinë më të madhe dhe njëkohësisht kemi pasur struktura të konsoliduara të rrjetit të Vetëvendosjes, si asnjëherë më parë. Gjithë këtë kapital tonin fizik e intelektual ne do ta përdorim që problemet e vitit 2010 të mos i kemi në vitin 2011, për shkak se jemi të bindur se nëse në vitin 2011 shtetit të pavarur të Kosovës nuk ia bashkëngjisim sovranitetin dhe shoqërisë kosovare nuk ia bashkëngjisim zhvillimin ekonomik, atëherë, pothuajse me siguri, nga një shtet i dobët do të shndërrohemi në një shtet të dështuar”, tha Kurti.
Kurti falënderoi gazetarët për angazhimin dhe punën e palodhshme në informimin e qytetarëve me zhvillimet dhe ngjarjet në Kosovë, të cilat kanë qenë të shumta këtë vit të tërë, por edhe gjatë këtij fundviti, duke i cilësuar ata si të vetmit që kanë nxjerrë në pah shumë të vërteta mbi çështjet politike dhe çësjhtje të tjera që shqetësojnë Kosovën.
Në fund ai ka shprehur një urim edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës: “Ua uroj Vitin e Ri juve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse Viti i Ri është e vetmja ditë të cilën politikanët e Kosovës nuk mund ta shpallin datë historike”, përfundoi mesazhin lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
mit/NOA