E premte, 31 dhjetor, NOA-Arrestohet përgjegjësi për hedhjen në erë të shtyllës së tensionit të lartë në Fushë- Krujë, 27 vjeçari Julian Shota, banues po në këtë qytet.
Ky arrestim i kryer në flagrancë është bërë mëngjesin e sotëm, rreth orës 04.00,
Ky arrestim erdhi lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Bilaj Fushë-Krujë, ku u dëmtua me lëndë eksplozive një shtyllë e tensionit të lartë 400 kw.
Lidhur me këtë ngjarje, u krye shoqërimi në polici i disa personave të cilët u pyetën mbi rrethanat e hetimit, si dhe u ushtrua kontroll në disa ambiente.
Gjatë kontrolleve të kryera, në banesën e shtetasit Julian Shota, i cili dyshohet edhe si autor i mundshëm i ngjarjes, u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri, automatik model 56 si dhe 111 copë fishekë të modeleve 56 dhe 54, të cilët mbaheshin pa leje prej tij.
Arma e municionet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që vazhdon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes në fjalë.
Materialet proceduriale për veprat penale të shkatërrimit të pronës me lëndë eksplozive dhe prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë.
Mësohet se 27 vjeçari Shota nuk ka treguar arsyet e këtij shpërthimi.
a.y/NOA